Zidane te Manchester United? Flasin drejtuesit e “Djajve të kuq”

22.08.2018 00:13:37

Marrëdhëniet mes Jose Mourinhos dhe drejtuesve të Manchester Unitedit janë më të tendosura se kurrë, aq sa pas humbjes së “djajve të kuq” në transfertën e fundjavës ndaj Brightonit, mediat angleze aluduan për një shkarkim të mundshëm të portugezit.

Kontradiktat mes palëve nisën që gjatë merkatos së verës, ku drejtuesit sollën në Manchester vetëm Fred dhe Dalot, duke injoruar kërkesat e portugezit për një sulmues anësor me peshë dhe një qendërmbrojtës që të ofrojë cilësi dhe eksperiencë.

Pakënaqësitë e tij Mourinho i nxori edhe në publik, teksa tha se kishte kërkuar 5 futbollistë nga drejtuesit e klubit, por do të ishte i lumtur nëse do t’i vinin të paktën dy të tillë, gjë që në fakt drejtuesit e Manchester United nuk e morën në konsideratë.

Është pikërisht hija e Zinedine Zidane, që përndjek portugezin, me ish trajnerin e ealit që është i papunë, pasi vendosi të largohet nga madrilenët, pas 3 triumfesh radhazi në Ligën e Kampionëve.

Gjithsesi, BBC raportoi në edicionin e mbrëmjes së sotme, se burime brenda klubit të Manchester United, konfirmuan se Mourinho do të vijojë detyrën e tij në stolin e “djajve të kuq” dhe se deri tani nuk ka pasur asnjë kontakt me Zinedine Zidane.

“Nuk e kemi kontaktuar asnjëherë Zidanen, pasi nuk kemi vend pune bosh për t’i ofruar. Kemi besim të plotë te Mourinho dhe jemi të bindur që do të vijojmë edhe për shumë vite me të”, deklaruan zyrtarë të klubit anglez, për BBC.