Zyra e kryeprokurorit sqaron për aksidentin ku u përfshi prokurori

24.12.2016 20:06:31

Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit ka dhënë detaje lidhur me aksidentin e sotëm, ku u përfshi prokurori i Shtetit, Lulzim Sulejmani.

Sipas njoftimit për media, në fshatin Dollc të komunës së Klinës, rreth orës 2:05 min, katër zyrtarë nga Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit, prej tyre një prokuror, kanë pësuar aksident trafiku.

“Në këtë aksident dy persona kanë pësuar lëndime të lehta trupore dhe pas ndihmës mjekësore në Spitalin e Pejës janë liruar për trajtim në shtëpi. Ngasësi i makinës ka pësuar lëndme të rënda trupore, ku tani është duke u trajtuar në Klinikën e Ortopedisë në QKUK në Prishtinë, ndërkaq prokurori Lulzim Sulejmani nga QKUK-ja është transferuar për trajtim jashtë vendit, pasi që është lënduar rëndë”, bëhet e ditur në njoftim.

Aksidenti ka ndodhur me veturë të Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, derisa zyrtarët nga Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit ishin duke u kthyer nga një organizim i mbajtur në Gjakovë, me rastin e fund vitit, për të gjithë stafin e institucionit të Prokurorit të Shtetit dhe Këshillit Prokurorial të Kosovës.

Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit ka njoftuar se është në pritje për përfundimin e hetimeve për të kuptuar shkakun e ndodhjes së aksidentit.