Zyrtari i OBSH-së: Koronavirusi mund të mos largohet kurrë

13.05.2020 18:15:52

Koronavirusi i ri mund të mos largohet kurrë dhe t’i bashkohet me viruseve aktuale që vrasin njerëz nëpër botë çdo vit, bëri me dije Dr. Mike Ryan, drejtori ekzekutiv i programit të Emergjencave Shëndetësore të Organizatës Botërore të Shëndetit (OBSH), të mërkurën në konferencën e përditshme të organizatës për koronavirusin.

“Ky virus mund të bëhet një virus tjetër endemik në komunitetet tona dhe të mos largohet kurrë. P.sh, HIV nuk është larguar ende”, tha Ryan, shkruan CNN, transmeton lajmi.net.

“Nuk jam duke i krahasuar të dy sëmundjet, por mendoj se është e rëndësishme që të bëhemi real. Nuk besoj se mund të parashikohet se kur mund të zhduket ky virus”, shtoi Ryan.

Me vaksinën në posedim “Ne mund t’i japim një goditje këtij virusi, por që vaksina që do jetë në disponim, do të duhet të jetë shumë e efektshme, do të duhet të vihet në dispozicion për të gjithë dhe ne do të duhet ta përdorim atë”, tha Ryan. “Kjo sëmundje mund të shndërrohet në një problem afatgjatë, ndoshta edhe jo”.

Megjithatë, e ardhmja e koronavirusit nuk ka pse të jetë pesimiste, sipas epidemiologes së sëmundjes infektive të OBSH-së Dr Maria Van Kerkhove.

“Trajektorja e këtij shpërthimi është në duart tona”, tha Van Kerkhove gjatë konferencës së së mërkurës.

“Komuniteti global është bashkuar për të punuar në solidaritet,” tha Van Kerkhove.

Drejtori i Përgjithshëm i OBSH-së Tedros Adhanom Ghebreyesus iu bashkangjit thirrjeve të Van Kerkhove dhe shtoi se “Të gjithë duhet të kontribuojmë për të ndaluar këtë pandemi”.