A nuk patët vend më të dukshëm për fotografinë e heroit të shqiptarëve, Xhemajli Berisha?

06.04.2019 14:25:55

Nga Rexhep Kastrati

Në sallën e Shtëpisë së Kulturës në Prizren, që mban emrin e tij, u shënua 30 vjetori i vrasjes së Xhemali Berishës, më ç’rast në Akademinë e organizuar nga Ministria e Kulturës, këshilltari i Hashim Thaçit, Ismail Syla, familjarëve të heroit i dorëzoi Urdhërin “Hero i Kosovës”.

Edhe pse Xhemajli Berisha, konsiderohet hero nga qytetarët, shpallja hero i Kosovës, nga ana e Hashim Thaçit, është në vazhdën e shpallje e të tilla që disa kohë.

Në Akademi folën shumë njerëz, që thanë çka deshën, edhe pse po t’i dëgjonte Xhemajli, do të qeshte me atë të qeshurën e tij karakteristike.

Po duket se shumica e atyre që folën më shumë e kishin hallin se si të bënin sfilata personale dhe kontekstualizime socio-historik për hesape të zhvillimeve të mëvonshme, sesa respektin e sinqertë për Xhemajliun, i cili sa qe gjallë nuk u ndal së vepruari brenda Ilegales, për interesin kombëtar.

Në këtë kontekst, nuk ishte aspak serioze, aspak e dinjitetshme, madje as në nivelin e recitimeve të bëra në këtë Akademi, vendosja e fotografisë së Xhemajliut në një kënd të papërfillshëm dhe madje të mbuluar nga karrige e kamera.

Përmasat e veprimtarisë së Xhemajliut, sakrifica e tij për Republikën e Kosovës, për liri e bashkim kombëtar, që i kanë pas të papranueshme dhe të konsideruara kundërkombëtare idetë për ndarjen e Kosovës, janë aq të mëdha sa nuk do të meritonin një, ta quajmë, pakujdesi të tillë që fotografinë e tij ta vendosin në një pozitë të tillë të padinjiteyshme!

Përkundër këtyre, mbetet i madh respekti, vlerësimi dhe kujtimi për Xhemajliun, për njeriun që kemi pirë shumë kafe bashkë në qendër të Prizrenit, bashkë me profesor Yrjet Berishën, tashmë të ndjerë, dhe kemi bërë shumë biseda për gjendjen e robërisë, për çlirimin, por edhe lexonin vargjet, të cilat Xhemajliu i recitonte për bukuri!