AAK dhe Nisma i japin fund bojkotit, do të kthehen të votojnë kundër demarkacionit

09.09.2016 17:26:30

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe Nisma për Kosovën, kanë marrë vendim që të kthehen në Kuvend, duke i dhënë kështu fund bojkotit.

Këto dy parti opozitare do të jenë tashmë të pranishme në seanca dhe komisione parlamentare, në të cilat kanë munguar tash e sa kohë.

Pal Lekaj nga AAK tha për se kanë vendosur t’i kthehen Kuvendit dhe Komisioneve, për të kundërshtuar demarkacionin me votën e tyre, por dhe të jenë të pranishëm në seanca e komisione, ashtu siç u takon.

 

“Ju e dini se kur kemi marrë vendim për të bojkotuar punën e Kuvendit të Kosovës, arsyeja e vetme ka qenë që të shfaqim mos dakordimin tonë lidhur me insistimin e qeverisë për të kaluar marrëveshjen e demarkacionit. Por në të njëjtën kohë kemi deklaruar se ne do të kthehemi në Kuvend, kurdo që të vjen për ratifikim kjo marrëveshje. Do të kthehemi për ta kundërshtuar me votën tonë kundër dhe duke dhënë argumente për t’i bindur edhe kolegët tjerë deputetë që të veprojmë bashkërisht në ndaljen e atij projektligji. Kjo edhe ka ndodhur ne u kthyem me 1 shtator në seancën e demarkacionit dhe do të vazhdojmë të jemi në Kuvend, ashtu siç na takon”, ka thënë ai.