Aktorët e “Çka ka shpija”, vizitojnë fëmijët në repartin e Pediatrisë

06.02.2017 17:47:04

Taskforca Kosovare për Kontroll të Kancerit, në kuadër të shënimit të “Ditës Botërore të Kancerit” vizitoi sot fëmijët që janë duke u trajtuar në Klinikën e Pediatrisë, reparti i Hematologjisë me Onkologji.

Vizita u organizua në bashkëpunim me aktorët e njohur kosovar të serialit “Çka ka Shpija” – Naser Rafuna, Gresa Pallaska dhe Irena Cahani.

Gjatë vizitës me këta fëmijë u zhvilluan aktivitete sociale dhe u bë shpërndarja e dhuratave modeste nga ana e aktorëve.

Në këtë Klinikë çdo vit pranohen 50 raste të reja të fëmijëve të prekur nga sëmundjet malinje dhe ato hematologjike.

Për momentin në Klinikë janë duke u trajtuar 38 fëmijë.

Bazuar në të dhënat e mjekëve, trendet e paraqitjes së këtyre sëmundjeve janë të ngjashme me nivelet botërore të raportimit. /Telegrafi/