Analistët kritikojnë qasjen e diplomacisë kosovare në New York (Video)

26.09.2018 20:25:20

Ministri i Jashtëm i Kosovës, Behgjet Pacolli zhvilloi disa takime dy ditët e fundit në New York. Një shtrëngim duarsh në korridoret e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, me Presidentin e SHBA-së, Donald Trump, Pacolli e quajti takim.

Porse më vonë, në postimin e tij në Facebook, tha vetëm se ishte “kënaqësi të ia shtrëngosh dorën Presidentit Donald Trump”.

Përderisa kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabiq, po fliste para mediave, ministri i Jashtëm Pacolli i është afruar për ta përshëndetur atë.

E, nga pyetja e saj se ku ka marr leje Pacolli të hyjë në ndërtesën e OKB-së, ai është përgjigjur se “kam marrë leje nga ju”.

Pas kësaj, Pacolli është larguar, duke u thënë gazetarëve se Brnabiq është një zonjë e respektuar.

Një tjetër rast ishte me Kryeministrin e Marokut, Saadeddine Othmani.

Ai përmes një shkrimi në Twitter ka reaguar ngase, sipas tij, një person nga Kosova i është imponuar me prezencën e tij.

Ani pse Pacolli ishte shprehur se ka pasur një takim domethënës me kryeministrin e Marokut.

“Gjatë pushimit me delegacionin tim një zotëri nga Kosova na u imponua me prezencën e tij. Ne nuk kemi diskutuar marrëdhëniet bilaterale as vazhdimin e kontakteve”.

Profesori i shkencave politike, Bekim Baliqi thotë për RTV Dukagjinin se ajo çka ka ngjarë atje, është skandal diplomatik.

“Ishte thjesht një skandal diplomatik, në kuptimin e një përfaqësimi jo dinjitoz dhe jo profesional. Imponimi i tillë dhe reagimi që erdhi nga kryeministri maroken përbëjnë një shqetësim të madh për përfaqësimin tonë diplomatik, dhe për imazhin që paraqet Kosova te vendet e botës”, tha Baliqi.

Sipas tij, veprimet e tilla mund të kenë efekt negativ në të ardhmen.

“Këto veprime kanë efekte afatgjate në imazhin e shtetit. Kjo do ta dëmtojë Kosovën në rrafshin e jashtëm. Përkundër përpjekjeve tona të vazhdueshme që të kemi njohje nga vende të ndryshme, unë mendoj kjo qasje e tillë, imponuese dhe ndoshta jo diplomatike, e dëmton shumë vendin, imazhin dhe politikën e jashtme”, tha Bekim Baliqi, përcjell Telegrafi.

Njohësi i çështjeve politike, Naim Rashiti shprehet se ka pamaturi politike në aspekt të qasjes. Por, sipas tij, nuk ka ndonjë agjendë të saktë të sjelljes atje, për shkak të prezencës së madhe të shumë diplomatëve.

“Ka një lloj pamaturie politike në aspekt të qasjes. Aksesi në OKB sigurohet përmes miqve”, deklaroi Rashiti.

Sipas tij, në këtë fazë është e rëndësishme që të lobohet atje më shumë për anëtarësimin në Interpol. /Telegrafi/