Arrestohen në Suharekë dy grabitës dhe ndihmësi i tyre

06.02.2017 14:59:10

 

Pas një pune intensive hetimore, është bërë i ditur identiteti i tre të dyshuarve të cilët me datën 03 shkurt, rreth orës 20:45 minuta, dy prej tyre të maskuar dhe të armatosur me thika, kanë hyrë në barnatoren “Vjosa Farm” dhe nën kanosje serioze kanë grabitur arkën e farmacisë dhe kanë ikur në drejtim të kompleksit banesor “Fidanishte”.

Sipas hetuesve të cilët e kanë trajtuar rastin, thuhet se aty i ka pritur i dyshuari i tretë me një automjet të llojit BMW. Gjatë intervistave veç e veç, në prani të avokatëve mbrojtës është kuptuar deri në detale se si është kryer grabitja. Për rezultatin e hetimeve është informuar prokurori i shtetit i cili ka nënshkruar vendimet mbi ndalimin e grabitësve. Po ashtu, në cilësi të provës materiale është sekuestruar edhe vetura e dyshuar.