Aty ku drita është e munguar

Sokol Thana

Të mbizotërosh aty ku gjaku derdhet për lavdinë e përjetshme, apo të këndosh gëzueshëm besimin tënd ndaj lavdisë së jetës, së dashurisë, paqes? Të kërkosh e përsëri të gjendesh aty ku në fillim nise kërkimin tënd. Sepse të ndjekësh pasurin tënde më të madhe, kërkon të marrësh përsipër rrezikun e moskthimit më aty ku ke qënë. Njësojë si me luftën. Në e nis, asnjëherë nuk do të jetë ashtu si më parë. Sepse për këdo, qoftë ky Napoleoni apo Aleksandri, ekziston një rregull, të cilit asnjë njeri, sado i veshur me lavdinë e kohës, nuk mund ti shpëtojë, dhe ky rregull është koha vetë. Koha si njësi matëse ju jep lavdinë e saj, por si mjet ajo i barazon të gjithë shpirtrat, saqë për kohën nuk ekzistojnë shpirtra të lavdishëm apo më pak të lavdishëm, ekzistojnë vetëm shpirtra frymorësh, të cilët ndjekin të mirën apo të keqen. Por, kush e përfaqëson të mirën apo të keqen? Cila është ajo njësi matëse, e cila na lejon të përcaktojmë se nga cila anë e historisë ne do të jemi? Nga cila anë ne do të përkrahemi dhe nga cila anë ne do të përfundojmë të sharë sa herë që përmendemi? Angjelistike dhe pothuajse njësojë me rregullat e kërcimit është përgjigjja e kësaj pyetjeje. Nëse je i gatshëm të mësosh, atëherë ti duhet të jesh i përulur ndaj rregullave. Por, jo rregullave të cilat lindin nga njerëzit, të ashtuquajtur Perandor apo Tiranë, apo Diktator, por rregullave të cituara nga forma më e mrekullueshme dhe më e arrirë në thjeshtësi, ajo e natyrës. Rregullat e saj dobësojnë luftën dhe fuqizojnë paqen, atëherë kur mjedisi është i favorshëm dhe i kënaqshëm deri sa qeniet riprodhohen dhe kalojnë përmes gjeneratës tjetër informacionet e tyre dhe të së kaluarës së paqtë që patën. Por, kur mjedisi është shkatërrues, jo argëtues, atëherë pasojat janë pranë dyerve të paqes dhe kjo sepse njerëzit, dhe kur them njerëzit kam parasysh të gjithë njerëzit, fillojnë dhe besojnë në herezinë e luftës dhe ngatërrojnë hapat e kërcimit, e detyrohen të kalojnë tek hapi i fundit, aty ku të gjithë e dinë se asnjëri prej tyre nuk mund të arratiset, sepse nga aty fillon lufta dhe kjo e fundit sjell pasoja të mëdha psikologjike që para se ajo të fillojë dhe mitizon të parin e përzgjedhur. E bën atë të duket i syrgjynuar për të mirën e të gjithë të tjerëve që ndodhen poshtë tij, i dalluar para tyre, trim dhe të lidhur me një fat të lartësuar më së shumti prej të gjithë të tjerëve, të cilët duken kaq pa frymë para madhështisë që po dëshmojnë, edhe pse ja veshën vetë. Dhe ky akt vlihet të përmendet për një shtresë të vetme (Leon Tolstoi di se çfarë bën dhe thotë), atë të aristokracisë. Imagjinoni tani, mijëra, dhjetëra mijëra aristokrat të mbledhur posaçërisht për të dhënë idetë e tyre në ndihmë të perandorit Aleksandër dhe nënës Rusi, dhe nuk bëjnë asgjë tjetër, veçse të thurin lavde për pasuritë e tyre, jetët e tyre mondane dhe ekzistojnë me frikën se nëse dikush flet kundër ose përtej asaj ç’ka shihet, do ti japi atyre gjithçka të kundërt që ata tashmë kanë (Parlamenti i sotëm). Sepse ata kanë frikë nga varfëria. Dhe nëse ata do të lidheshin me këtë fakt ata do ta anashkalonin me dëshirë. Pjeri, atëherë kur pa se si gjendja përfundojë, rezultojë të mendojë dhe të mos idealizojë diçka për të cilën ai jetonte, sepse në fund shikon se si trajtoheshin skllevërit, sepse u bë njëri prej tyre. Dhe skllevërit gjithmonë trajtohen si më të pasurit e bodrumeve. Anarkia që sundoi ishte e frikshme. Kërkojë ndjesë për kohen e shkuar të përdorur. Më lejoni ta ndreq: “Anarkia sundon frikshëm në shpirtrat e rrugicave dhe kjo ide flak tutje realitetin ndaç të humbjes dhe të mundësisë.” Atëherë kur zhduket kjo, ç’na mbetet për të vazhduar përpara? Mundësia…mundësia e të udhëtuarit. Është e vetmja ndjesi, e cila na lejon dhe të lë të tilla mbresa të pashmangshme dhe të përthyeshme në rrezet e shkëlqimit të tyre, saqë ti nuk je më i detyruar të shohësh po të njëjtën anarki. Ti tashmë ravijëzon, realitetin që ti dëshiron duke përkthyer të vetmen pyetje që ka rëndësi pas gjithçkaje, në morinë e pyetjeve: Kush je ti? Përjetësia është si një senduk i mbushur plot me sendet e tua të rinisë, miqtë e mi. Nëse doni ta përjetoni, atëherë shkoni dhe hapeni atë sedukë të mbuluar nga pluhuri, aty ku gjendet lumturia dhe paqja juaj e brendshme. Nëse kërkoni detyra dhe thirrje për ngritje në detyrë, kjo është po aq e trishtë sa ç’është të presësh Godonë. Por, nëse ju vëreni angazhim në përmirësim nëpërmjet këtyre institucioneve, atëherë detyrojeni veten të shkëlqeni, aty ku drita është e munguar. Shihni, anarkia (ndonëse duhet shqiptuar me emër tjetër), ekziton po aq frikshëm në ambientet e sotme, dhe nëse kërkoni të gjeni kurën e saj, atëherë lexoni historinë e vërtetë, jo të atyre që ndoqën Napoleonin apo Aleksandrin e Rusisë, apo të atyre që ngritën në qiell as njërin as tjetrin, por të atyre që i panë dobësitë dhe i treguan; atyre që i panë plagën dhe ja shëruan, atyre që u munduan ta shohin veten, domethënë historinë e në të gjithëve në pasqyrë, pa makijazh të detyruar për të mbuluar rrudhat. Ajo ç’ka Tolstoi thotë dhe mendon nëpërmjet kësaj mrekullie letrare prej katër vëllimesh: ku ai në rrëfim e sipër tek një mik i ka shprehur “Kjo është Iliada ime”; është diçka sa e thjeshtë aq dhe e komplikuar. Ai thotë se, dashuria juaj për luftën është kaq e prekshme sa humbja juaj përkundrejt paqes. Gjithashtu ai përmend se gjithkush, jo vetëm një, i detyrohet veprës së historianëve një veprim të ndjeshëm përkundrejt së vërtetës: Aftësisë tonë për të ndikuar dhe për të krijuar të ardhmen e re. Ajo ç’ka vihet re gjatë gjithë veprës, është një dëshirë profesionale e shkrimtarit për të shprehur lirshëm idetë e tij përkundrejt fasadave dhe ideve të kota të salloneve të aristokracisë, por gjithashtu nuk mbështet fudullëkun e fshatarëve dhe injorantëve nga të dyja krahët, kur arsyetonin vrullshëm mbi hyrjen në luftë me Francën, apo nuk kupton se si të gjitha luftërat kriheshin vetëm për fuqi personale të Napoleonit dhe vetëm të atij, ashtu siç i dukeshin të mençura disa prej veprimeve të Kutuzovit, Komandantit në detyrë të ushtrisë ruse. Ai përcakton lirshëm se nuk janë muret, fasadat apo idetë mondane apo dhe injoranca e të varfërve, të cilat do të na nxjerrin nga tuneli, por është njeriu i lirë, ai që do ta bëjë këtë për të gjithë ne. Dhe deri sa kjo të vijë; sepse gjykohet drejt kur thuhet se pranvera me një lule s’vjen; do të duhet të luftojmë me një iluzion të pafundmë për të arritur paqen e pavërtetë.
Them se kjo vepër ‘Lufta dhe Paqja’, është parajsa e letërsisë dhe gjetja e saj, mbase të ndihmon të gjesh lirinë tënde. Sa e vërtetë kjo vepër për jetët tona, saqë na kujton që ndodhemi akoma në luftë. Sa të vërtetë janë personazhet e tij, saqë dhe sot duket sikur janë transferuar në kohë, në po atë injorancë të tyren, apo në atë mondanitet, e po me ato zonjusha të pavërteta, dhe burra aristokrat pa këllqe. Sa e vërtetë e gjithë kjo, saqë për të gjetur paqen, do të duhet të luftojmë njëherë me iluzionin që ajo krijon. Të gjithë fokusohen tek pasuria,çfarë do lloj pasurie qoftë, asnjëri nuk fokusohet tek liria e saj. Dhe liria që ajo të jep është një luftë e përjetshme.
Leon N.Tolstoi, është letrar, akademik dhe një njeri i lirë. Fundja, ishte i pari ai që na mësoi se si ti shikojmë gjërat me vërtetësi në mënyrën më të thjeshtë, duke na treguar të gjitha anët e medaljes. I marrë ai që po mendon se medalja ka dy anë me mjetin matës, kohën.