Basha përballë ‘roshëve’ të Ramës; kush do të fitojë?

28.12.2016 11:42:10

Për Partinë Demokratike mund të thuhet se një nga “kohët e saja më të arta” në këtë opozitë tejet të vështirë, kishte periudhën kur inicioi dhe çoi përpara ligjin për dekriminalizimin. Miratimi i tij ishte një fitore e madhe që Lulëzim Bashës i dha pikët maksimale si lidership dhe ngjalli shpresa se kasta e dyshimtë me të shkuar të theksuar kriminale që Edi Rama më së shumti, por edhe Ilir Meta për hesap të vetë, instaluan me shpejtësi në politikë dhe në administratën publike, mund të çmontohej.

Pas lëvizjeve të fundit të Prokurorisë së Përgjithshme me deputetët Tahiri, Selami dhe kryebashkiakun e Kavajës Elvis Roshi, ka plasur një optimizëm i vonuar, se më në fund dekriminalizimi ndezi motorët. Por ashtu si u pa qartë gjatë miratimit të ligjit, rezistenca e Ramës për të mos lejuar prekjen e detashmentit të tij kriminal është e fortë. Ajo që u pa në mbledhjen e fundit të KQZ-së për këtë çështje është pasqyra, e asaj që ka në plan kryeministri i vendit. Ai është i vendosur që të paktën përpara zgjedhjeve të vitit që vjen, të mos lejojë funksionimin e ligjit të dekriminalizimit.

Nuk bëhet fjalë thjesht për Elvis Roshin, por për një ushtri të tërë që është sistemuar në administratë, e cila pasi ka përmbushur detyrën e grumbullimit të parasë publike, tani është gati për atë më të rëndësishmen; mbledhjen e votave në zgjedhjet e vitit 2017.

Ligji i dekriminalizimit u miratua në 17 Dhjetor të vitit 2015, pra fiks një vit më parë. Me kalimin e ditëve dhe muajve entuziazmi që ngjalli kjo ngjarje e rëndësishme për demokracinë dhe shtetin ligjor, u shndërrua në dyshim e më pas në bindje se dekriminalizimi ishte një farsë, që ekziston vetëm në letër. Rilindja pasi dështoi në periudhën e miratimit pas presionit të madh ndërkombëtar, e ka bllokuar procesin në gjithë nivelin e administratës publike. Edhe prokuroria ra në gjumë për tu zgjuar tani pas një viti, për raste flagrante si ato që po shqyrton KQZ-ja. Aq seriozisht e kishte marrë organi i akuzës këtë proces, sa që për verifikimin e mijëra formularëve të vetë-deklarimit kishte caktuar vetëm një prokurore, Rovena Gashin, e cila në fakt si detyrë parësore ka atë të drejtimit të një drejtorie të rëndësishme dhe jo dekriminalizimin. Vetëm tani pas një viti, zyra e kompletua edhe me 2 prokurorë të tjerë.

E njëjta gjë mund të thuhet, edhe për opozitën. Për një periudhë të gjatë u mjaftua me “fitoren historike” të miratimit të ligjit dhe harroi, që nisja e funksionimit të tij është ajo për të cilën luftoi aq fortë. Vetëm tani në fund të vitit, 6 muaj përpara zgjedhjeve dhe pak përpara vendimit të Brukselit për negociatat me BE-në, u kujtua që nëse nuk kryhet dekriminalizimi, Rama me gjithë Rilindjen e tij do vazhdojnë të mbretërojnë e të klonojnë zgjedhje si ato të Dibrës, sa herë të duan.

Gjithsesi më mirë vonë, se kur të jetë vërtet shumë vonë. Nga ajo që u pa në mbledhjen e fundit të KQZ-së duket se dekriminalizimi do ta ketë të vështirë të funksionojë, edhe për individë si Elvis Roshi që me ato që ka bërë, në çdo qytet të Europës pa ligj fare, vetë banorët do ta kishin përzënë nga lagjia e tyre, e jo më ta mbanin në krye të punëve të komunitetit.

Por Rama është i vendosur të mbrojë me çdo kusht të gjithë këtë “ushtri roshësh”, sepse tashmë e ka kuptuar që janë e vetmja shpresë për të rimarrë një visto të dytë për të vazhduar, edhe për katër vite planin e tij të Shqipërisë hibride. Prokuroria thotë se janë të paktën edhe 12 deputetë dhe 6 kryetar bashkish, që i kap ligji i dekriminalizimit. E imagjinoni dot se çfarë bëhet me nivelet drejtuese në administratë, pushtetin lokal dhe polici?!

Është një armatë e tërë që mezi pret të futet në veprim në zgjedhjet e ardhshme, për të shlyer detyrimin ndaj Ramës e kompani, si dhe për ruajtur statukuonë e oligarkisë kriminale.

Në këtë situatë, sinoptika për opozitën dhe gjithë opinionin publik që është i kthjellët për atë që po bën me Shqipërinë Edi Rama, fatkeqësisht është e pashpresë.

Gjashtë muaj deri në ditën e zgjedhjeve të ardhshme vërtet nuk janë shumë, por as pak për një opozitë të vendosur për të mos lënë fatin e votës së qytetarëve në duart e “roshëve”. Me miratimin e ligjit të dekriminalizimit një vit më parë u fitua vetëm një beteje, lufta jo.

Kjo është sfida e vërtetë që kërkon “këllqe”!