BDI-ja u premton shqiptarëve punësim në institucionet e shtetit

24.11.2016 13:35:56

Bashkimi Demokratik për Integrim për zgjedhjet e parakohshme parlamentare që do të mbahen me 11 dhjetor të këtij viti ka bërë një premtim elektoral i nevojshëm për popullatën shqiptare në Republikën e Maqedonisë, për punësimin e së paku një anëtari në çdo familje shqiptare.

BDI duke e parë nevojën imanente në terren për punësimin e shqiptarëve si dhe duke u bazuar në statistikat e fundit për ikjen e shqiptarëve nga Maqedonia, ka ndryshuar qasjen dhe strategjinë e saj për këto zgjedhje dhe katër vitet e ardhshme në pushtet.

Në mandatin e ri qeveritar, BDI-ja do të fokusohet në këtë temë si edhe në pesë premtimet tjera programore të cilat krijojnë mundësinë e lehtësimit të jetësës së shqiptarëve .

Punësimet që po premton BDI-ja janë në :administratë, polici, shëndetësi, arsim dhe në të gjitha sferat e jetës shoqërore.

Përveç kësaj, BDI-ja është e interesuar edhe për investime kapitale ku do të krijoheshin vende të reja të punës në vendbanimet shqiptare.

Me 11 dhjetor të këtij viti, shqiptari i Maqedonisë do të ketë mundësinë e zgjedhjes së një përcaktimi programor ekonomik që krijon mundësinë e barazisë dhe punësimit për secilin. Pas fitores së zgjedhjeve parlamentare, nuk do të ketë më mundësi që shqiptarët e Maqedonisë të ankohen për probleme ekonomike, pasi që e tërë fryma politike dhe estabilshmenti qeveritar do të përkujdeset për zgjidhjen e problemeve të tyre.

BDI-ja si opsion politik në mandatin e ri qeveritar do t`ia mundësoje shqiptarëve që të jetojnë të lirë, të pavarur dhe të kënaqur ekonomikisht ku do t`i përfitojnë të gjitha privilegjet që mund të ofroje një shtet për banorët e saj. Vendimmarrja e përbashkët është njëra prej pikave kyçe në programin e ri të BDI-së që kërkon secilin orientim buxhetor në ndarje të barabartë midis maqedonasve, shqiptarëve dhe të tjerëve.