Biznesmenit nga Kosova i ndalohet hyrja në Turqi, dyshohet se është bashkëpunëtor i Gulenit

28.11.2016 17:44:10

Pos dy bashkëpunëtorëve të tij, Talip Aktaş dhe Bashkim Çmega, kleriku turk Fetullah Gulen – i cili akuzohet nga autoritetet turke se qëndron pas puçit të korrikut të kaluar – ka edhe një “bashkëpunëtor të tretë” në Kosovë.

Sipas portalit turk Akit, pronari i kompanisë ABI nga Prizreni, Alajdin Fusha, është mbështetës i fuqishëm i Gulenit në Kosovë, i cili mundëson komunikimin mes organizatës Feto dhe politikanëve në Kosovë.

Fusha ka tentuar të hyjë në Turqi gjatë festës së fundit të Kurban Bajramit, por është kthyer mbrapsht pas kontrollit të pasaportës.

Alajdin Fusha është i afërm i Irfan Fushës, kandidat për deputet nga Partia Demokratike e Kosovës dhe, sipas portalit turk, ka lidhje të forta me ish-kryeministrin dhe tash presidentin Hashim Thaçi dhe me ministrin e Punëve të Jashtme Enver Hoxhaj.