Bushati: Jam besimplotë se administrata Trump do të vijojnë angazhimin në Shqipëri

20.01.2017 12:16:46

Ministri i Jashtëm Ditmir Bushati shpreson që administrata e re Trump do të vijojë angazhimin amerikan në Shqipëri, si garancia e vetme për të intensifikuar më tej kursin euro-atlantik të rajonit. Me anë të një postimi në Facebook, ai falenderon dhe sekretarin aktual të shtetit John Kerry për përkushtimin e treguar ndaj Shqipërisë.

“Teksa Sekretari Amerikan i Shtetit John Kerry lë detyrën, dëshiroj ta falenderoj përzemërsisht për përkushtimin e dëshmuar në çimentimin e partneritetit strategjik ndërmjet Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, sikundër për angazhimin e tij dhe të administratës së Presidentit Barack Obama për konsolidimin e proceseve demokratizuese dhe forcimin e sigurisë në Europën Juglindore. Jam besimplotë se Sekretari ri i Shtetit Rex Tillerson dhe administrata e Presidentit Donald J. Trump do të vijojnë angazhimin amerikan në këtë kënd të Europës, si garancia e vetme për të intensifikuar më tej kursin euro-atlantik të rajonit”, shkruan Bushati.