Çështja çame, Greqia sfidon Shqipërinë: Mos deformoni historinë

02.12.2016 14:16:41

Vazhdon “lufta e ftohtë” në distancë mes Greqisë dhe Shqipërisë, por jo vetëm. Ministri grek i Mbrojtjes, Panos Kamenos, i ka dhënë një mesazh të fortë Shqipërisë dhe Turqisë.

Duke folur nga garnizoni ushtarak kufitar në Molivdoskepasti, në Epir, në kufi me Shqipërinë, Panos Kamenos tha se shteti grek nuk mund të pranojë sfida dhe referenca që ndikojnë në historinë dhe të drejtën ndërkombëtare.

Ai iu referua çështjes çame, ku Shqipëria ka ngitur zërin e saj deri në BE për të dënuar gjenocidin grek që është bërë para thuajse një shekulli ndaj popullsisë dhe grabitjes së tokave dhe pronave të shqiptarëve.

Sipas gazetës greke “Kathimerini”, Kamenos foli prerë duke thënë se “Greqia nuk mund të pranojë sfida dhe referenca që ndikojnë në historinë dhe të drejtën ndërkombëtare”.

Duke u ndaluar në deklaratat e fundit të kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, të cilat u pasuan me retorika jo shumë paqësore mes palëve, ai i quajti ato sajesa antihistorike.

“Këto sajesa sjellin përsëri në kujtesën tonë bashkëpunëtorët e nazistëve. Ata ishin në anën e mundur në luftë. Ne nuk do të pranojmë sfida të tilla dhe nuk do të pranojnë raporte të tilla, të cilat dëmtojnë historinë dhe të drejtën ndërkombëtare”.

Kamenos përsëriti se Greqia është kundër atyre që tentojnë të dalin kundër traktateve ndërkombëtare, duke bërë provokime të ndryshme.

“Nga këtu, dua të dërgoj një mesazh për të gjithë ata që guxojnë të sfidojnë traktatet ndërkombëtare me deklarata provokuese. Nga njëra anë kemi Turqinë, e cila me deklaratat e saj të përsëritura po përpiqet të minojnë klimën politike. Përgjigja jonë është sipas të drejtës ndërkombëtare, duke mbrojtur sovranitetin kombëtar të vendit”, citon gazeta greke “Kathimerini”.