Çështja e veteranëve të rrjeshëm/ A po kërkohet kokë turku për të shpëtuar klasën politike nga fundosja?

18.08.2018 10:55:33

Nga Rexhep Kastrati

Çështja e veteranëve të rrejshëm, e cila që nga fillimi ka qenë e ditur si e tillë, madje, në raste edhe e argumentuar që më parë, ka marr hapësirë të madhe mediale, ndërkohë që politika po hesht në pritje të zhvillimeve të reja.

Mirëpo duket qartë se heshtja e politikës dhe mediatizimi i madh i kësaj çështjeje, ka të bëjë me përpjekjet që kjo çështje të mbyllet duke u bërë dikush kokë turku, në mënyrë që të tjerët t’ia hedhin.

Emri i Agim Çekut, ish-komandant i UÇK-së, ish-kryeministër, ish ministër i FSK-së, e së fundmi zëvendësministër, por edhe njeriu që drejtoi Komisionin për veteranët, ka filluar të lakohet, dhe ka gjasë që të bëhet kokë turku për të shpëtuar komandantët e zonave, të brigadave, të batalioneve dhe të njësive të tjera të UÇK-së, dhe mbi të gjitha ish-Drejtoria Politike dhe ish-Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së.

Është për të vënë re se mediet e instrumentalizuara dhe të kontrolluara nga strukturat mafiozo-politike, po i paraprijnë viktimizimit të Agim Çekut, kurse politika, madje edhe ish-komandantët tjerë, ish-përfaqësuesit politikë dhe gjithë strukura e UÇK-së po heshtin derisa të krijohet opinioni kundër Agim Çekut.

Shtrohet pyetja, ndërkaq, a është Agim Çeku i vetmi përgjegjës, apo përgjegjësi kryesor për fryrjen e listës së pjesëtarëve të UÇK-së?

Dhe përgjigjia është: jo! Jo, sepse sistemi i aplikimit dhe i dokumentimit të kandidatëve për veteranë ka kaluar nëpër duart e ish-komandantëve,  përballë të cilëve Agim Çeku ka qenë i pafuqishëm dhe i pambështetur mjaftueshëm nga struktura politike të dala nga UÇK-ja dhe nga institucionet shtetërore.

Çështja e veteranëve të rrejshëm, është çështje e gjerë dhe që zgjidhjen do ta ketë jo duke viktimizuar një individ, apo një grup individësh, por duke hetuar dhe zbardhur gjithë zinxhirin, gjithë strukturën dhe gjithë sistemin e aplikimit dhe të dokumentimit të kandidatëve për veteranë.

Është e qartë se Kosova nuk është ende gati për një hetim dhe zbardhje të tillë, sepse do të fundoste klasën politike aktuale, pasi që përmasat e falsifikimit janë aq të mëdha dhe aq të gjera sa nuk përjashtojnë asnjë pjesë të klasës politike në Kosovë.

Përveç kësaj, hetimi dhe zbardhja e plotë e çështjes së veteranëve të rrejshëm, do të zbardhë edhe dallavaret që janë bërë ndërmjet komandantëve të ndryshëm të UÇK-së dhe të FARK-ut, do të zbardhë edhe të vërteta të hidhura jo vetëm për komandantë të UÇK-së, por edhe për komandantë të FARK-ut, për lidhjet e tyre, edhe kriminale, edhe agjenturore.

Po ashtu, zbardhja e plotë e çështjes së veteranëve të rrejshëm mund të ketë edhe pasoja socio-politike, destabilizuese dhe që mund të realizojnë edhe përmbysjen e shtetit!

Prandaj, nevoja për kokë turku, pra për viktimizimin e një individi, apo të një grupi individësh, për të shpëtuar të tjerë, ose për të penguar që kjo çështje të marrë përamasat reale dhe të hedhë dritë edhe në çështje të tjera, më të rënda se vetë çështja e veteranëve të rrejshëm, është shumë e madhe dhe do të duket gjatë ditëve në vazhdim.