Delawie: Përgëzoj të gjithë ata që publikisht nuk e përkrahin iniciativën për shfuqizimin e Speciales

31.01.2018 11:59:03

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Greg Delawie ka thënë se populli i Kosovës nuk e përkrahë iniciativën për shfuqizimin e Gjykatës Speciale.

Ai ka përgëzuar qytetarët dhe të gjithë ata që po shprehen publikisht kundër iniciativës për shfuqizimin e Speciales.

“Populli i Kosovës nuk e përkrah iniciativën për shfuqizimin e Gjykatës Speciale. Duartrokas politikanët dhe të tjerët të cilët po flasin publikisht në emër të qytetarëve të Kosovës, edhe pse është e vështirë, për atë se çka është e drejtë për të ardhmen e Kosovës”, shkruan Delawie në Twitter.

Ndryshe, më 22 dhjetor 2017 ka pasur një iniciativë për shfuqizimin e Ligjit për Gjykatën Speciale, saktësisht 43 deputetë kishin nënshkruar iniciativën për një seancë të jashtëzakonshme për shfuqizimin e Speciales.

Tentativa e 22 dhjetorit për ta shfuqizuar atë që ishte miratuar dy vite më parë, ishte cilësuar si ‘nata më e rrezikshme për Kosovën’ dhe ‘thikë pas shpine për ndërkombëtarët” nga ambasadorët e Britanisë e ShBA-së.