Demaskimi dhe komprometimi i plotë i opozitës

04.09.2018 15:26:57

Nga Rexhep Kastrati

Sot kanë rënë maskat e opozitës, por edhe mashtrimi i madh i saj që ia ka bërë opinionit, sepse sot tregoi jo vetëm që është e dobët, jo vetëm se nuk i ka 80 vota, por nuk as integritet moral e politik për t’u përballë me çështje të ndjeshme të vendit.

Ikja nga seanca e sotme dëshmoi edhe një herë se opozita e sotme, e cila është e tillë vetëm se nuk është në qeverisje, ka mashtruar opinionin me retorika populiste, me deklarata të tilla se i ka 80 vota për të bllokuar presidentin të bëjë pazare me Aleskandër Vuçiqin, sepse ajo pat frikë të qëndrojë në seancë, sepse aty do të shihej pafuqia dhe rrena me 80 vota. Kur them këtë, nuk e kam fjalën për Teutën, por për ata që në dy rreshta tri herë përmendin Hashim Thaçin me një agresivitet të shtirur, por që ia kanë shitur shpirtin dhe shërbimet politike e jopolitike atij dhe strukurave mafizo-politike në përgjithësi.

Retorika e tillë: do ta ndalim; nuk do të lejojmë; do ta pamundësojmë, etj., sot doli të jetë një retorikë spekulative që qëllim ka të mbajë qytetarët në mjegullën e dendur për të mos parë realitetin socio-politik dhe kapjen e politikës, të medieve dhe të shoqërisë civile në përgjithësi, për të mos parë mashtrimin e madh dhe lojën e ndyrë me interesa të vendit, e me të cilat shlirshëm dhe pa asnjë pengesë reale është duke e bërë Hashim Thaçi dhe linja e Tiranës/Kretës në përgjithësi, shlirshmëri që po ia mundëson një klasë politike e kapur dhe e paaftë për të mbrojtur interesat e vendit.

Tashmë 80 vota, po na dalin jo vetëm mashtrim i madh, por si një inflacion rrenash, ashtu sikurse dikur Bukoshi që e bënte me 200 mijë e me 300 mijë ushtarë. Me këtë edhe më fanatikët e kanë të qartë se vendi nuk është në rrezik vetëm nga pazaret e Hashim Thaçit me Aleksandër Vuçiqin, por edhe nga një opozitë e kapur, e sakatuar dhe e çoroditur si mos më keq.

Megjithatë, këto zhvillime të sotme dhe të ditëve të fundit kanë dhënë një tablo reale të gjendjes socio-politike dhe politiko-institucionale në vend: ka konfrimuar atë që kam thënë vazhdimisht se PDK, AAK, VV, Nisma, PSD dhe korpusi medietik kundër LDK janë bashkë kundër LDK-së, si dhe kur LDK është në opozitë nuk bëhet fjlaë për opozitë të unifikuar, por bëhet fjalë për unfikim të opozitës, vetëm kur ajo i përshtatet partive të tjera në opozitë.

Emërimi i Limajt si shef i ekipit negociator në Bruksel, e cila gjoja do t’i bashkonte votat me opozitën kundër Hashim Thaçit, do të ishte i paritur vetëm për mosnjohësit e rrethanave socio-politike, për servilët dhe për oportunistët, por jo për njerëzit që kanë mendje të hapur dhe që kanë integritet moral e profesional dhe që kanë informacionin e duhur për zhvillimet në vend. Gjatë luftës dhe pas saj, asnjëherë nuk ka pasur çarje ndërmjet fraksioneve të linjsës së Tiranës/Kretës dhe asaj udbasho-jugosllavokomuniste kur është bërë fjalë për LDK-në, për FARK-un dhe për vlerat që përfaqësojnë apo kanë përfaqësuar ato. Përkundrazi kanë qenë tepër unikë, madje më unikë sesa vetë fraksionet brenda një partie politike për të bllokuar, devalvuar dhe rrënuar sistemin e vlerave që ka instaluar LDK në krye me presidentin Rugova, për të kundërshtuar kontributin e Ministrisë së Mbrojtjes dhe të FARK-ut në çlirimin e vendit, si dhe për të rrëzuar qeverinë e parë dhe të vetme deri më tash, të drejtuar nga LDK.

Sulmet e Dradan Molliqajt, ndërkaq, janë vetëm vazhdim i sulmeve që bënte kur LDK e drejtonte qeverinë dhe kur ai dhe VV ishin në ballë të aksionit anarkist, të dhunshëm dhe në kufijtë e terrorizmit për të rrëzuar qeverinë e drejtuar nga LDK, e që do të thotë se aksioni kundër LDK vazhdon.

Përveç këtyre, sulmet e Dardan Molliqajt kundër LDK-së, janë edhe një konfimim se LDK mund të jetë e mirë vetëm kur pranon të jetë bisht i partive të tjera qoftë në pozitë, qoftë në opozitë: sa e drejtonte qeverinë Hashim Thaçi, askush nuk e bëri problem koalicionin me PDK-në, sepse ashtu i leverdiste atij dhe linjës së Tiranës/Kretës, kurse kur LDK ishte në qeverisje, desh u kall Kosova, vetëm pse PDK nuk drejtonte qeverinë. Edhe në opozitë: si në kohën kur ishte në opozitë me VV-në dhe me AAK-në, edhe tash që është në opozitë ne VV-në, LDK është e mirë vetëm nëse sillet siç duan ato, dhe kur pranon primatin e tyre mbi të.