Departamenti i Brendshëm i Shteteve të Bashkuara ndaloi flotën e dronëve, nga frika e rrezikut prej spiunazhit kinez

31.10.2019 14:16:26

Shumica e dronëve, janë të prodhuara në Kinë, ose kanë pjesë kineze

Nga frika e rrezikut të spiunazhit kinez dhe sulmeve kibernetike të ndihmuara nga dronët, Departamenti i Brendshëm i Shteteve të Bashkuara, që mbikëqyrë administrimin e tokës dhe burimeve federale, e ka ndaluar funksionimin e flotës së dronëve, ku bëjnë pjesë më se 800 UAV, transmeton Telegrafi.

Wall Street Journal raporton se shumica e këtyre dronëve që përdorej nga Departamenti i Brendshëm, ishin të prodhuara në Kinë ose kishin pjesë kineze.

Sekretari i brendshëm, David Bernhardt ka dhënë urdhër gjatë ditës së sotme, ndërsa e gjithë flota e dronëve do mbesin të ndaluar, derisa të vlerësohet rreziku që përbëjnë.

“Sekretari Bernhardt po shqyrton programin e dronëve, që shfrytëzohen nga Departamenti i Brendshëm. Derisa të përfundojë hetim, Sekretari ka urdhëruar që dronët e prodhuar në Kinë ose që kanë pjesë kineze të mos përdore, përveç për qëllime emergjente, siç janë luftimi i zjarreve, kërkimi dhe shpëtimi, si dhe trajtimi i fatkeqësive natyrore që mund të kërcënojnë jetën”, ka thënë zëdhënësja Melissa Brown për The Verge.

Aktualisht, shumica e dronëve përdoren për të ndihmuar në luftimin e zjarreve të pyjeve, monitorimin e digave dhe përmbytjeve, inspektimin pronave dhe dëmtimet e mjedisit për shkak të erozionit, si dhe monitorimin e specieve të rrezikuara.

Shqetësimet kryesore, janë se dronët mund të përdoren për të transmetuar të dhëna, përfshirë fotografi dhe video, të infrastrukturës së ndjeshme të Shteteve të Bashkuara, që mund të jetë objekt i sulmeve kibernetike.