E shtuna e futbollit në SuperSport

07.10.2017 11:49:07

Ditën e shtunë luhen ndeshjet përmbyllëse të raundit të parafundit, për fazën kualifikuese të botërorit të ardhshëm, përsa i përket sfidave evropiane dhe Kontinenti i Vjetër ofron 9 takimet e Grupeve A, B dhe H. Në grupin e parë nënkampionët e Evropës kontrollojnë grupin, teksa udhëheqin në kuotën e 17 pikëve, gjithsesi “blutë” kanë nevojë patjetër për 3 pikët në duelin me Bullgarinë. Ndeshja do të luhet në Stadiumin Vasil Levski dhe kurioz është fakti që “trikolorët” nuk kanë fituar kurrë në fushën e përfaqësueses ballkanase. 5 humbje dhe 1 barazim është bilanci i këtyre ndeshjeve, me vizitën e fundit cerek shekulli më parë, ku humbja 2-0 përkon edhe me dështimin e famshëm të “gjelave” për t’u kualifikuar për në botërorin e Shteteve të Bashkuara. Ndeshje relativisht të vështirë pritet të ketë Holanda që pozicionohet në vendin e tretë, me 13 pikë, tre pikë më pak sesa Suedia. “Portokallinjtë” kanë humbur 2 nga 3 vizitat në Bjellorusi, sidoqoftë këtë radhë në Borisov Arena cdo rezultat tjetër përvec fitores do të konsiderohej si dështim për ekipin e Dick Advocaat, për më tepër Bjellorusia klasifikohet në vendin e fundit me vetëm pesë pikë. Suedia në anën tjetër mban përkohësisht vendin e dytë, në kuotën e 16 pikëve, kështuqë ndeshja me Luksemburgun konsiderohet thjesht si një ndeshje rutinë, duke patur parasysh që në këtë grup gjithcka përsa i përket vendit të dytë pritet të përcaktohet nga dueli i drejtpërdrejtë Holandë – Suedi, që do të luhet të martën e ardhshme. Pas Gjermanisë e vetmja përfaqësuese që vazhdon të ketë 100% të pikëve është skuadra e Zvicrës. Në Grupin B ekipi helvet ka grumbulluar 24 pikë pas 8 ndeshjeve të luajtura dhe gjërat pritet të vijojnë po njësoj, pasi në St. Jakob-Park përballë do të jetë skuadra e Hungarisë, që ndonëse renditet në vendin e tretë është eliminuar me kohë. Kampionët në fuqi të Evropës vazhdojnë të ndjekin në këtë grup, me tre pikë më pak dhe hierarkia nuk do të ndryshojë, duke patur parasysh faktin që Portugalia viziton Andorën, megjithatë kuptohet gjithcka përsa i përket renditjes përfundimtare do të vendoset nga ndeshja përcaktuese që Zvicra do të luajë të martën e ardhshme në “da Luz” të Lisbonës. Belgjika ishte e para përfaqësuese që preu biletën nga Konfederata e UEFA-s për në Rusi 2018, kështuqë në Grupin H luhet vetëm për vendin e dytë. Belgjika numëron 22 pikë, gjithsesi në vendin e dytë për momentin pozicionohet Bosnje Hercegovina me tetë pikë më pak, që duhet të ruhet nga sulmi i Greqisë. Përfaqësuesja helene shpreson që “djajtë e kuq” të kenë motivimin e duhur për të frenuar ekipin boshnjak në Stadiumin “Grbavica” të Sarajevos, ndërkaq vetë Greqia rrezikon në “derbin” me Qipron, në një duel tepër interesant që do të luhet në Nicosia, ndërsa Estonia ka një rast të shkëlqyer për të përmirësuar statistikat, teksa do të vizitojë Gjibraltarin në Algarve të Portugalisë, sidoqoftë si Greqia ashtu edhe Bosnje Hercegovina janë dy përfaqësueset më të rrezikuara për të mbetur jashtë zonës play off, në klasifikimin e përgjithshëm të skuadrave të vendit të dytë. /supersport.al/