Fatmir Sejdiu thotë se është i gatshëm ta “rrëzojë” Isa Mustafën nga froni

16.11.2016 21:40:37

Ish kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Fatmir Sejdiu ka thënë se nuk ka gjetur një gjuhë të përbashkët me kryetarin e LDK-së, Isa Mustafa.

(I plotësuar) – “Unë mendoj qe nuk është korrekte që Kosova të kushtëzohet me demarkacionin e kufirit me Malin e Zi, sepse këtë kusht se kanë pas as vendet tjera”, ka thënë ish presidenti Fatmir Sejdiu.

Ish-presidenti i vendit, Fatmir Sejdiu, duke folur rreth funksionimit të koalicionit qeverisës, tha se është një pjesë e një ankthi që i përshkuan dy subjektet më të mëdha politike, sidomos në disa çështje të caktuara.”Janë  jo fortë të sinqerta  deklarimet për dalje apo mosdalje nga koalicioni për të shkuar në zgjedhje. Nuk e di se a janë zgjedhjet zgjidhje, por as kështu siç është situata nuk është mirë”, tha ai në emisionin “Monitor”, në RTK.

Sipas tij, në LDK ka njerëz me potencial të fortë që kanë mbetur jashtë Qeverisë dhe kjo siç deklaroi ai, mund të shihet edhe në përbërjen e Qeverisë .

Duke folur rreth zhvillimeve në LDK, ish-presidenti Sejdiu tha se “mungon debati i përgjithshëm në strukturat e partisë, dhe po ashtu është një pjesë e madhe e LDK e heshtur krahas këtyre proceseve për ta dhënë mendimin e vet. Ajo pjesë është militante e LDK-së,por që as nuk mund të qëndroj e qetë”.

I pyetur për ambiciet e tija për të qenë në krye të LDK-së, ai tha se nëse LDK e kërkon ai është i gatshëm, ndonëse aktualisht është anëtarë nderi në Këshillin e Përgjithshëm.

Fatmir Sejdiu: Me Isa Mustafën nuk kemi gjetur gjuhë bashkëpunimi, jam themelues i LDK-së

Sejdiu në një intervistë për RTK, duke mos dashur të hyjë në detaje të raporteve që ka me Mustafën, ka thënë “nuk kemi gjetur një gjuhë bashkëpunimi”.

Ai ka shtuar se me Mustafën janë takuar 2-3 herë, por që nuk kanë mundur të kenë pika të përbashkëta.

Sejdiu thotë se Mustafës ia ka përcjellë mendimet e tij, e që sipas tij fatkeqësisht kanë dalë ato që i ka thënë, siç është humbja e Prishtinës nga LDK.

Lidhur me të ardhmen e LDK-së, ai thotë se kjo parti mbetet një fuqi e madhe, sepse ka shumë njerëz që e duan dhe e simpatizojnë atë, kurse theksoi se është i vetmi themelues i LDK-së që është ende në strukturë dhe nuk mund të heq dorë nga LDK-ja.