Fqinjët thonë se sulmuesi i Munihut ishte ‘djalë i qetë dhe i vetmuar’

23.07.2016 16:38:31

Fqinjët e sulmuesit të Munihut, Ali Sonboly, i cili la të vdekur nëntë persona dhe plagosi 27 të tjerë, e kanë përshkruar atë si një “djalë të qetë, dhe të vetmuar”.

Nga sulmi që kreu 18 -vjeçari gjermano-iranian, vdiqën edhe tre shqiptarët: Dijamant Zabërgja (21), Armela Sagashi dhe Sabina Sulaj.

“Asnjëherë nuk e kam parë atë. Ai ishte i largët, ani nuk e tërhiqte asnjëherë vëmendjen. Kam dëgjuar se ai shpërndante gazeta. Një djalë krejtësisht i padyshimtë dhe jam e befasuar që kjo ka ndodhur në lagjen tonë”, thotë fqinja e Sonbolyt për EuroNews.

Kurse, fqinji i dytë thotë se “sa herë që e kam parë, ai ishte vetëm”.

“Nuk e di nëse ka pasur miq apo jo, sepse asnjëherë nuk e kam parë me miq. Ai është 18 vjeç dhe asnjëherë nuk e kam parë me ndonjë vajzë. Pasi nuk ka qenë asnjëherë me ndonjë vajzë, ai ishte i vetmuar”, shtoi ai.

Më tutje, një fqinj i tretë për EuroNews thotë se gjithmonë kur takohej me të përshëndetej, porse dje nuk e kishte përshëndetur.

“Ne gjithmonë i thoshim njëri-tjetrit ‘tungjatjeta’, por asgjë më shumë. Dje kisha marr një ‘Red Bull’ nga një kafe dhe po pija duhan. E pashë atë me babanë e tij. Ai madje as që më shikoi. Nuk më tha ‘tungjatjeta’. Ai eci tutje, e i thash vetes se çka ka problem ky djalë? Ai ishte me të vërtetë një djalë i heshtur. Si djalë i vogël luante futboll me ne në parkun Massmann, por kur u rrit nuk ishte i interesuar në sport”, shprehet fqinji i tij.