Gjermani, arrestohen 5 persona, dyshohet se kanë lidhje me ISIS

08.11.2016 14:04:10

Policia gjermane ka arrestuar pesë militantë të dyshuar islamikë nën akuzën e rekrutimit të luftëtarëve për ISIS-in në Siri.

Të arrestuarit janë një irakian, një turk, një gjerman, një serbo-gjerman me dy shtetësi dhe një kamerunas . Ata përballen me akuzën e ngritjes së “një rrjeti xhihadist” që ka tentuar të rekrutojë myslimanë për të shkuar në Siri dhe për të luftuar përkrah militantëve të Shtetit Islamik.

Rrjeti ia kishte dalë që të dërgonte një të ri dhe familjen e tij në zonën e kontrolluar nga ISIS në Siri, ka thënë prokuroria, por nuk kanë dhënë detaje tjera.

Rreth 820 persona kanë ikur nga Gjermania për t’u bashkuar me luftëtarët e ISIS-it në Siri e Irak ndërsa zyrtarët dyshojnë se ata mund të jenë rrezik për sigurinë shtetërore.

I dyshuari kryesor është identifikuar si Ahmad Abdulaziz A, përkrahës i hapur i Shtetit Islamik që akuzohet për mbikëqyrje të procesit të rekrutimit dhe aprovimit të atyre që shkojnë në Siri.