Gjuriqin e ndjek historia: humbjen e quan fitore!

04.02.2017 11:54:53

Nga Rexhep Kastrati

Që nga beteja e Kosovës e vitit 1389, serbët gjatë historisë kanë shënuar humbjet si fitore, edhe pse kjo betejë nuk është e serbëve dhe nuk është ashtu siç e përshkruajnë historianë dhe Kisha serbe. Në fakt, dy janë veçoritë kryesore të serbëve: rrena dhe shënimi i humbjeve si fitore. Një pinjoll i shovenizmit dhe hegjemonizmit serb që në shekullin XXI përfaqëson errësirën mesjetare të mbështjellë me murale dhe ikonografi kishtare dhe urrejtëse, siç është Marko Gjuriq, nuk ka si të jetë përjashtim nga ky rregull i shënimit të humbjes në fitore, dhe i përdorimit të rrenës si mjet të komunikimit publik-politik. Pas nënshkrimit të marrëveshjes për rrënimin e murit pranë urës mbi lumin Ibër, Marko Gjuriq nxitoi ta paraqiste si fitore të kryeministrit Vuçiq, i cili na qenkësh angazhuar që kjo marrëveshje të arrihej! Dhe kur e ka thënë këtë, Marko Gjuriq është bazuar në një takim në Rashkë me institucionet e sigurisë serbe dhe me kryetarët e komunave veriore, që u realizua pas vendosmërisë së Qeverisë së Kosovës në krye me kryeministrin Mustafa për ta rrënuar me çdo kusht murin provokativ. Dhe vendosmëria për të rrënuar murin, ishte po aq e madhe sa edhe vendosmëria për të ndalur trenin që të futej në Kosovë. Dhe kjo vendosmëri i ishte shprehur edhe Brukselit, si dhe aleatëve të tjerë strategjikë. Dhe kjo vendosmëri për rrnimin e murit që ishte kodifikuar edhe me një rezolutë të Kuvendit të Kosovës, është vazhdimësi e kryeministrit Mustafa dhe e Qeverisë që drejton ai për të realizuar dhe mbrojtur interesat strategjike të Kosovës, si dhe për të mos lejuar provokime dhe angazhime që bien ndesh me sistemin juridiko-kushtetues të Kosovës, e që ishte shfaqur edhe në rastin e ligjit për “Trepçën”, për investime strategjike dhe nëse vazhdojmë më tej, për të mos pranuar kushte nga askush, pra as nga lista “Srpska”. Gjithsesi, është e qartë se gjithë situatën e kanë lehtësuar edhe përfaqësues të bashkësisë ndërkombëtare  në Kosovë, që ia bënë të qartë Serbisë se Kosova ka të drejtë të mbrojë territorin e vet, se muri është i papranueshëm dhe se policia e Kosovës nuk ka nevojë të kërkojë leje për të shkuar në veri. Të gjitha këto, ishin dhe janë të rregulluara me ligj dhe me kushtetutë, si dhe kanë fituar peshë falë bashkëpunimit dhe seriozitetit të Qeverisë së Kosovës në krye me kryeministrin Mustafa. Edhe pse në rastin e murit është rënë dakord t’i jepet fund një marrëzie dhe një provokimi shovenist serb, dhe nuk ka nevojë të paraqitet fitore, as humbje e askujt, megjithatë, nëse bëhet fjalë për një retorikë të tillë, atëherë mund të thuhet se humbi mendësia shoveniste serbe si një nga faktorët destabilizues në Kosovë dhe në rajon.