Greqia s’duron më presione nga Turqia, Tsipras: Boll me kërcënimet!

23.03.2018 18:26:51

Kryeministri grek, c ka dërguar mesazhin më të ashpër në drejtim të Ankarasë që prej përshkallëzimit të tensioneve mes dy vendeve.

“Turqia duhet të heqë dorë nga kërënimet dhe provokimet e vazhdueshme. Jemi përballë një ndryshimi thelbësor të sjelljes së saj në rajon. Greqia do të vazhdojë të mbajë të hapur kanalet e komunikimit për të bashkëpunuar dhe përballur me problemet që na shqetësojnë, por duhet të jem i qartë; Greqia është e vendosur që të mbrojë sovranitetin dhe të drejtën e saj kundrejt çdo kërcënimi”, deklaroi kryeministri grek në një konferencë për shtyp me Presidentin qipriot, Nicos Anastasiades.

Tsipras i tha se Turqisë duhet t’i bëhet e qartë edhe nga Bashkimi Europian se provokimet e vazhdueshme nuk sjellin përfitim, as për atë vetë.

“Ne do të vazhdojmë përpjekjet tona përmes kanaleve dypalëshe, por në të njëjtën kohë llogaritet në mobilizimin zyrtar dhe të hapur të partnerëve tanë, aleatëve tanë”, tha Tsipras.

“Ne do të mbetemi të fokusuar në përpjekjet tona për të shtrirë dorën e dialogut, një dore miqësie ndaj vendit tonë fqinj. Ne duam bashkëpunim, dialog, paqe”, tha Tsipras.

Vendet anëtare të BE shprehën shqetësimin e tyre lidhur me ndalimin e vazhdueshëm të shtetasve të BE në Turqi, duke përfshirë dy ushtarët grekë dhe kërkuan një zgjidhje të shpejtë dhe pozitive të këtyre çështjeve.

Pas vizitës së Erdogan në Greqi në dhjetor të vitit të kaluar u duk se raportet mes dy vendeve do të hynin në një erë të re, por pak javë më vonë disa incidente me anije në Egje dhe më pas kapja e dy ushtarëve grekë në tokën turke riktheu gjuhën e ashpër mes Athinës dhe Ankarasë.

Dy ushtarët grekë mbahen ende të burgosur në Turqi. Greqia thotë se kalimi i kufirit prej tyre ishte aksidental, ndërsa Ankaraja thotë se po hetohet për të përcaktuar nëse kalimi ishte aksidental apo i qëllimshëm.