Grevat në kohën e cënimit të territorit të Kosovës

30.01.2019 16:15:37

Sindikatat e arsimit dhe universitetet e Kosovës protestojnë me grevë për rritjen e pagave. Protestat gjithmonë janë e drejtë njerëzore. Por Kosovës i kërcënohet territori. E pa territor, praktikisht pa Trepçen mësuesit dhe pedagogët e Kosovës nuk do të mund t’i kishin këto paga që sot i kanë! Prandaj vlerësoj se protesta është adresuar gabim, është motivuar politikisht. Kjo lloj proteste vetëm se ndihmon Hashim Thaçin, Aleksandër Vuçiq dhe Edi Ramën ta ndajnë Kosovën e ta shkatërrojnë shtetësinë e saj.

Pas ndarjes mësuesit e pegagogët e Prishtinës do të duartrokasin bashkimin pjesës së mbetur të Kosovës me Shqipërinë , por paga e tyre do barazohet e pagën e mësuesve dhe pedagogëve të saj. Atëherë mësuesit e Kosovës do të kenë një pagë mesatare diku te 350 euro dhe pedagogët jo më shumë se 670 euro. Kurt ë mbërrijë kjo ditë do ta kuptoni ju që protestoni për paga të larta se çdo të thotë të jestosh me standardin e pagave të Shqipërisë. Do kuptoni edhe se greva e sotme ishte një mashtrim i madh i Hashim Thaçit! Por do të jetë vonë. Për ju, për ne, për gjithë shqiptarët!

Protestoni kundër ndarjes dhe për ruajtjen e forcimin e shtetësisë së Kosovës, o njerëz të dijes! Mos u manipuloni prej një njeriu që synim të tij ka lavdinë personale e kultin e vet, me çmimin e territorit të vendit tuaj! Shihni sa qindra mijë euro ka shpenzuar për të sponsorizuar librin e lavdisë së vet shkruar në SHBA!

Nuk do ta kisha besuar se kolegët mij në universitetet e Kosovës dhe mësuesit e lavdisë së asaj Kosove që rezistoi në ditët më të vështira, do të bien në një kurth kaq ordiner dhe do i bashkëngjiteshin intrigës serbo-ruse të ndarjes së Kosovës dhe shkatërrimit të shtetësisë së saj!