Gucati: Aida Dërgutit nuk i kërkoj kurrë falje, nuk pendohem për ato që ja kam thanë

03.01.2017 14:04:52

Kryetari i Organizatave të dala nga lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hysni Gucati nuk e ka ndërmend t’i kërkoj falje deputetes së Vetëvendosjes Aida Dërguti për fjalët që përdori ndaj saj.

Kështu i ka thënë Gucati Gazetës Monitor, pas disa ditëve nga seanca e 30 dhjetorit, kur edhe u votua në mes shumë tensionesh e akuzash ligji i ri për Veteranët e UÇK-së.

Kujtojmë se në seancën kur edhe u bë amendamentimi i ligjit për veteranët pati konflikt verbal në mes të deputetes Aida Dërguti e kryetarit të OVL-së së UÇK-së Hysni Gucati, i cili në një rast i thotë Dërgutit “ta shti gishtin në gojë”.

Për të ndryshimet në ligjin e Veteranëve janë një sukses dhe e arritur e madhe, e sidomos për veteranët e vdekur dhe ata që do të vdesin pas datës kur u miratua nda deputetët ky ligj, e të cilët përkatësisht familjet e të cilëve do të marrin çdo muaj pensionin prej 250 eurove.

Mirëpo ky nuk është përfitimi i vetëm që do të kenë kjo kategori.

“Ne me këtë ligj kemi arrit, unë e llogariti si sukses për krejt shokët tanë që kanë vdekur, post mortum dhe të cilët do të vdesin nga sot e tutje e kanë pensionin 250 euro plus një ndryshim të cilin e konsideroj si fitore për gjithë veteranët e UCK-së. Në nuk kemi leshu pe në asnjë milimetër në asnjë vend, është ditë edhe ne Neni që iu ka ndaluar punësimin, ai nen është larguar dhe tash kanë të drejtë veteranët e UCK-së të punojnë dhe të marrin 50 për qind të pensionit”, ka thënë Gucati për Gazetën Monitor.

Mirëpo ai ka arsyetuar edhe çështjen më të diskutueshme brenda deputetëve të Kuvendit të Kosovës por edhe veteranëve, kategorizimin e këtyre të fundit, i cili siç ka thënë Gucati u bë në pamundësi të pastrimit të listave të veteranëve.

“Ne nuk kemi pasur mundësi t’i pastrojmë listat është dashur të bëhet kategorizimi i tyre, dhe ky nuk është bërë të veteranët por te paga. Të gjithë janë veteranë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, 46 mijë janë veteran”, ka thënë Gucati.

Një çështjet tjetër e cila po ashtu nxiti reagimin e disa deputetëve si Daut Haradinaj ishte edhe përfshirja e vitit 1991 si njëra ndër etapat e UCK-së për çka pati mospajtime.

Por edhe për këtë Gucati ka një sqarim.

“Adem Jasharin në 91 e kanë rrethuar forcat paramilitare e çetnike. Desha të ua bëj një pyetje dhe Daut i cili thotë se ku kanë qenë ata, Daut Haradinaj ka qenë 15 vjeçar në vitin 91 nuk ka mund të jetë në rrjedha në vitin 91 me vjen keq unë nuk kam qenë atë kohë në seancë se kam shkuar me vonesë por shokët e mi i kanë thanë po rren Daut Haradinaj se nuk është e vërtet, vitin 91 ka pas luftë në Drenicë”, ka theksuar Gucati.

Kryetari i veteranëve iu kërkon falje të gjithë deputetëve për reagimin që pati në seancën e së premtes duke thënë se e kupton që nga pozita që ishte nuk ka pasur të drejtë marrë fjalen. Mirëpo ai prapë nuk tërhiqet nga fjalët që i tha deputetes Dërguti me të cilën pati edhe një konflikt verbal.

“Situatë në Kuvend ditën kur u votua ligji për veteranët ka qenë situatë shumë e keqe, unë ju kërkoj falje të gjithë atyre deputetëve që e kemi prish qetësisnë, por Aida Dërgutit nuk i kërkoj falje kurrë në jetë, a deputetëve ju kërkoj falje për arsye se unë nuk kam pas të drejtë të flas se kam qenë mysafir, a Aida Dërgutit falje nuk i kërkoj dhe nuk pendohem për ato që ja kam thanë asaj, as unë as nënkryetari”, ka nënvizuar Gucati.

Gucati ka thënë se tashmë kanë filluar të paraqesin ligjin para veteranëve, duke thënë se situata në terren është e kënaqshme në përjashtim të Zonës së Dukagjin, zonë kjo që sipas Gucatit po udhëhiqet nga njerëz politik.

“Kryesisht kryetarët e degëve të Dukagjinit,Istogu, Peja Deçani dhe Gjakova, po ata janë duke i rrejt veteranët, ata nuk kanë mbajt takime me këshillin drejtues kanë rrjet kur kanë dal me komunikatë se ne i kemi shok aty. Vetëm Istogu ka qenë në takimin e Këshillit Drejtues. E ata janë njerëz të politikës. Shkumbin Demaliaj që është mësuar me i ndërrua partitë herë në AKR e herë në AAK e herë në AKR, ai i prin kësaj valle dhe e bën propagandën ndaj shokëve të vet dhe kjo është turp. Pasi që për herë parë shokët tanë që kanë vdekur marrin pensione”,shtoi ai.

Ndryshe sipas ligjit të ri veteranët kategorizohen në tri kategori ata që paguhen 250 euro, kategoria e dytë 170 euro dhe kategoria e fundit 120 euro.