Heinz-Christian Strache ka thënë më 2018, atë që Qosja ka thënë më 1999

11.02.2018 13:30:03

Nga Rexhep Kastrati

Heinz-Christian Strache, zëvendëskancelar i Austrisë është shprehur pro njohjes të së drejtës së vetëvendosjes për veriun e Kosovës, duke e thelluar edhe më tej qëndrimin e tij dhe të Partisë së Lirisë kundër Kosovës.

Në aspektin diplomatik, ky qëndrim i zëvendëskancelarit austriak nuk është i befasishëm, por është në linjën e qëndrimit të Partisë së Lirisë kundër Kosovës, dhe si i tillë fiton peshë vetëm në kontekst të rritjes së qasjeve kundër Kosovës edhe në vende të tjera, siç është edhe rasti në Çeki, ku është duke u organizuar një peticion për të tërheqë njohjen e Kosovës nga ky shtet, dhe në kontekst të mundësisë që shtete të ndryshme të tërheqin njohjen.

Në këtë kontekst, ky qëndrim nxjerr në sipërfaqe edhe një herë se në Evropë ka filluar të theksohet më shumë polariteti rreth projektit të Kosovës shtet i pavarur, i cili më parë ishte shprehur hapur edhe në Francë nëpërmjet Mari Lëpenit, ish-kandidate për presidente të Francës dhe te qarqe të tjera të ngjashme.

Në gjithë këtë, përveç punës së fuqishme të Serbisë, Rusisë dhe aleatëve të tyre, që punojnë në mënyrë intensive kundër projektit Kosova shtet i pavarur, një ndikim tepër të fuqishëm ka edhe angazhimi i strukurave mafiozo-politike shqiptare në rajon, pra edhe në Kosovë, e të cilat kontrollohen nga Beogradi, Moska dhe nga qendra të tjera kundërshqiptare.

Synimin për ta dështuar Kosovën si shtet, Milosheviqi e ka shprehur edhe në takime të tilla si me Holbruk, kur ka thënë se shteti i Kosovës që do ta krijoni nuk do t’i duhet askujt, por e tha edhe ambasadori i Rusisë në OKB, në raportimin e fundit të sekretarit të përgjitshëm të OKB-së për Kosovën.

Pjesë të angazhimeve sllavo-ortodokse kanë qenë dhe janë strukurat mafiozo-politike shqiptare, të cilat që nga kohë e luftës e këndej kanë pasur dhe kanë për qëllim të komprometojnë aftësitë e shqiptarëve për shtet, të komprometojnë aftësitë e shqiptarëve për të ndërtuar marrëdhënie me shtete të ndryshme korrekte, për të mbajtur pozicion të qartë gjeopolitik euro-atlantik, si dhe për të respektuar rendin dhe të drejtën ndërkombëtare.

Këtë që zëvendëskancelari austriak e ka thënë nga pozitat e një përfaqësuesi të një partie ausotriake me qëndrim të njohur kundër Kosovës, e ka thënë Rexhep Qosja qysh më 1999 në janar, pra në vlugun e masakrave dhe gjenocidit serb mbi shqiptarët.

Në një inervistë që ia ka dhënë TVSH-së, përkatësisht Ardian Klosit në kohën që e paguante Qeveria e Kosovës, Rexhep Qosja kishte thënë se serbëve të Kosovës do t’ia njohim të drejtën për vetëvendosje, ndërkohë që Serbia dhe serbët e Kosovës vetë, këtë të drejtë nuk ia njohin Kosovës edhe sot e gjithë ditën.

Dhe gjithë periudha e mëpastajme ka qenë periudhë e ndarjes etnike të Kosovës, e konsolidimit të kësaj ndarjeje, e legjitimimit të brendshëm dhe ndërkombëtar të kësaj ndarjeje, e zyrtarizmit ndërkombëtar, epastaj edhe jurdiko-kushtetues të kësaj ndarjeje.

Projekti për dobësimin, pushtimin dhe rrënimin e LDK-së që është projekt i hershëm, por që gjatë luftës dhe pas saj u kthye në qëllim parësor dhe kryesor, ishte projekt në funksion të rrënimit të konceptit të shtetit të Kosovës, të një shteti funksional dhe që do të ishte kompromis që shqiptarët bënin kundrejt të drejtës së natyrshme për bashkim kombëtar.

Dobësimi, pushtimi dhe rrënimi i LDK-së nënkuptonte eliminimin e personaliteteve të spikatura të saj, qoftë në aspektin fizik, qoftë nëa të politik, dhe futjen në strukura të saj të njerëzve të kontrolluar nga struktura mafiozo-politike.

Ky proces në kuptimin legal ka filluar që nga Kuvendi i II i LDK-së, më 1994, është shpërfaqur në Kuvendin e III, më 1998, kurse në mënyrë më të rëndë u shpërfaq në Kuvendin e VI të saj, më 2006.

Qëllimi ishte të sabotohej presidenti Rugova, të dobësohej fuqia e tij politike dhe të rrënohej imazhi i tij si Prijës, në mënyrë që të bëhej më i lehtë edhe rrënimi i konceptit të tij për shtetin e Kosovës si zgjidhje kompromisi, e jo si bazë për kompromise të tjera, njëri nga të cilët, për fat të keq, është edhe e drejta e serbëve të Kosovës për vetëvendosje.

Në këtë kontekst, as deklaratën e zëvendëskancelarit ausitriak, Heinz-Christian Strache, as tërheqjet eventuale të njohjeve naga shtete të ndryshme, as pozitën aktuale dhe vështirësitë në funksionimin e shtetit të Kosovës nuk duhet parë si diçka që po ndodhin tash dhe vetëm në këtë kohë, por duhet parë si  një proces i vazhdueshëm kundër Kosovës i realizuar nga Serbia, Rusia, aleatët e tyre dhe ku janë të përfshira edhe strukturat mafiozo-politike shqiptare.