Lulzim Basha uron Ermal Metën për fitoren në Sanremo: Model frymëzimi në një kohë banditësh

11.02.2018 13:38:39

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha përmes një statusi në faqen e vet në Facebook ka përgëzuar kantautorin e ri shqiptar, Ermal Meta për triumfin e tij në Sanremo. Teksa uron të riun për suksesin e padiskutueshëm duke e cilësuar model frymëzimi, Basha nuk harron të hedhë akuza politike ndaj atyre që i quan banditë në krye të vendit.

“Në këto ditë të vështira kur banditët janë në krye të vendit, një kantautor i ri, Ermal Meta na fali gëzim duke triumfuar në Festivalin prestigjioz të San Remos. Triumfi i Ermalit na kujton se ka shqiptarë me talent, me energji që dinë të ecin përpara. Shqiptarë të ndershëm, krijues, të suksesshëm, njerëz të zotë dhe me vlera ka plot mes nesh, por pak bien sot në sy, sepse lajmet për Shqipërinë dhe shqiptarët i dominojnë zullumi, trafikantët dhe qeveritarët banditë.
Por e nesërmja i takon shumicës dërrmuese të shqiptarëve të ndershēm dhe me vlera. Triumfi i Ermalit është një përmendore e vlerave të vërteta të tyre.
E përgëzoj nga zemra Ermal Metën për çmimin e fituar me talentin dhe punën e tij, dhe i uroj për suksese të tjera më tej! Ky është modeli që na bën krenar dhe na frymëzon si shqiptarë!” shkruan Basha.