Ermal Meta, shqiptar fiton Sanremon

11.02.2018 14:14:40

Pas një historie akuzash për plagjiaturë që u rrezikoi dhe përjashtimin nga Festivali I Sanremos, shqiptari Ermal Meta dhe Fabricio Moro kanë dalë mbrëmë nga skena e Sanremos si triumfator.

Një emocion I jashtëzakonshëm për gjithë shqiptarët që e kanë parë këtë festival ndër vite jo vetëm si një model të muzikës por dhe si një dritë që u ka hapur portat e mbyllura në komunizëm. Një këngë kundër terrorizmit dhe pasigurisë në botë u përqafua menjëherë nga miliona shikues sapo u dëgjua nën interpretimin e Moros dhe Metës. Videoklipi I këngës shoqërohet me fjalë nga gjuhë të ndryshme të botës mes të cilëve dhe shqipja. Por pas interpretimit në natën e parë të festivalit kënga “Non mi avete fatto niente” rrezikoi t’i përjashtonte nga konkurrimi dy kantautorët në bazë të akuzave për plagjiaturë të një kënge të prezantuar në “Sanremo”-n e të rinjve të vitit 2016, nën interpretimin e Ambra Calvanit e Gabriele De Pascalit, por gjatë konferencës për shtyp para medieve, Fabrizio Moro tha se këngën në fjalë e kishte shkruar po ai dhe risjellja e tekstit të saj nëpërmjet produksionit të sivjetshëm ishte një rikthim i vlerave që nuk duhet të harrohen.

Pas vlerësimeve të bëra, edhe “Rai” doli në përfundimin se kënga mund të vazhdonte garën, nga e cila dy artistët dolën triumfues. Ndërkohë që në vendin e dytë u pozicionua grupi “Lo stato Socciale” dhe në të tretin këngëtarja “Analisa”. Fitorja e mbrëmshme është një sukses për Ermal Metën I cili nuk është hera e parë që ngjitet në skenën e Sanremos. Ai ka interpretuar në vitin 2010 në kategorinë e artistëve të rinj. Në vitin 2017 ai konkurroi për herë të tretë në Sanremo, por për herë të parë si solist. Kënga e tij “E ndaluar të vdesësh” u konsiderua si një nga krijimet me tekstin që përcillte mesazhin më të fortë në këtë festival ku ai zuri vendin e tretë.I lindur në Fier ai prej moshës 13 vjeçare jeton në Itali Bari bashkë me familjen. Karrierën e tij e nisi si kitarist i grupit Ameba 4. Grupi konkurroi në kategorinë e të rinjve në Sanremo të vitit 2006 me këngën “Rido… forse mi sbaglio”. Në vitin 2009, Meta formoi një tjetër grup, La Fame di Camilla, me të cilët realizoi tre albume. Përveçse këngëtar, ai është dhe një kantautor mjaft i talentuar. Ermal Meta ka shkruar këngë për emra të njohur të muzikës italiane si Patty Pravo, Marco Mengoni, Emma, Giusy Ferreri etj. Gjithashtu, ai ka shkruar dy këngë “Tutto si muove” dhe “Volevo perdonarti, almeno” për serialin televiziv Braccialetti rossi. Tashmë Ermal Meta bëri të mundur ëndrrën e madhe të gjithë shqiptarëve që e duan muzikën, duke dalë si fitues i skenës Ariston.