Historia e shqiptares që mori ‘Çmimin e Mbretëreshës’ në Angli

08.03.2021 11:19:58

Nuk janë të paktë shqiptarët që sot jetojnë e kanë ngritur karrierat e tyre të suksesshme nëpër botë. Kështu ka ndodhur edhe Luljeta Nuzin.

Luljeta u largua nga Shqipëria drejt Britanisë së Madhe në 1999. Ashtu si shumë bashkatdhetarë të tjerë zgjodhi të jetonte përtej kufijve  i pasojë e situatës së vështirë dhe kohërave të trazuara që kishte kaluar vendi.

Por, fillimi në një tokë të huaj nuk do të ishte i lehtë. Megjithatë sot pas gati 20 vitesh, Luljeta Nuzi mund të themi që është një nga modelet më të mira të grave shqiptare përtej kufijve dhe një përçuese e mesazhit se të gjithë mund t’ia dalin pavarësisht vështirësive.

Luljeta prej shumë vitesh drejton një nga organizatat më të rëndësishme “Shpresa Programme”, në Britaninë e Madhe që lobon fuqishëm për të drejtat e komunitetit shqiptar që jeton atje.

Në një lidhje Skype për “Wake Up” nga Londra, Luljeta rrëfeu më tepër nga historia e saj dhe misioni si aktiviste.

“Ndihmën më të madhe e kam pasur nga koleget e mia, shoqet e mia, inspirueset e mia, Flutura Shega dhe Evis Bodlli.

Organizata ‘Shpresa’ ka një model të mrekullueshëm pune, e cila vlerësohet dhe modeli i saj i punës është që aktivizon dhe luan rolin kryesor për ta ngritur zërin për këto nevojë. Dhe jo vetëm ngre zërin, por përvesh edhe mëngët për ta bërë këtë gjë realitet.

Shpesh këto gjëra bëhen pa para dhe duke kërkuar që të bashkëpunojmë me organizata të tjera lokale ose ndërkombëtare.

Në vitin 2004, ky model u nominua që të merrte çmimin e Mbretëreshës. Më pas ne jemi ftuar te ish-kryeministri Tony Blair, në Pallatin Mbretëror anëtarë të bordit tonë drejtues kanë marrë pjesë, kolegët e mia dhe unë kemi marrë pjesë disa herë.

Këto kanë qenë çmime inkurajuese në ato kohët e para, kur suksesi jonë ishte një ëndërr që pritej të bëhej realitet”, u shpreh ajo.