Ish-komandanti i FSK-së, Kadri Kastrati: ShBA-të nuk kanë interes t’i tërheqin trupat nga Kosova

05.03.2019 21:20:28

Deklaratat për tërheqjen e kampit ‘Bonsteel’ nga Kosova, shkaktuan reagime nga më të ndryshmet.

Ndonëse zyrtarët e këtij shteti treguan se SHBA nuk do të tërheq trupat e saj, në vend ende ekziston frika se Kosova mund të mbes pa praninë e ShBA-së.

Ish-komandanti i FSK-së, Kadri Kastrati në një intervistë  ka thënë se ShBA është njëri nga partnerët kryesor strategjik të Kosovës dhe se sipas tij nuk do t’i tërhiqte forcat e saj nga Kosova.

“Nuk besoj që ShBA-të do t’i tërheqin forcat e tyre. Dolën edhe deklaratat zyrtare të shtetit amerikan se amerikanët do të qëndrojnë me KFOR-in në Kosovë. Ne kemi ShBA-në partnerin kryesor strategjik që më së shumti kanë ndihmuar që nga bombardimet e pasluftës, rindërtimin dhe të gjitha proceset që kemi kaluar deri më sot. Por edhe roli kryesor i ShBA-së është t’i ndihmojë FSK-së që të ngrit kapacitetet e saj dhe të zhvillohet me standardet më të larta të NATO-së. Nuk është vetëm interes i Kosovës që Kosova ta ketë një ushtri moderne, është interes edhe i ShBA-së dhe partnerëve tanë sepse ne për 20 vite kemi qenë importues të sigurisë. Kemi pasur trupa të ndryshëm të shteteve të ndryshme, prej ShBA-së dhe shteteve të NATO-së. Ata kanë harxhuar shumë para, pajisje, shumë mund për ta mbajtur Kosovën si është sot. Dhe interesi i tyre është të qëndrojnë më tutje në Kosovë, të rrugëtojnë bashkë drejt integrimeve euroatlantike”, ka thënë ai.

Kastrati ka përmendur edhe ndikimin rus në Ballkan dhe në Kosovë, ku siç tha ai një gjë të tillë nuk do ta lejonte NATO.

“Ka pasur shumë deklarata që rusët janë duke u munduar ta kenë ndikimin e tyre në Ballkan por edhe në Kosovë, dhe pozita jonë gjeostrategjike është e tillë që ne apo NATO nuk do të guxonte të lejonte që rusët ta kenë ndikimin e tyre, dhe të kenë përzierje në kompetencat tona të brendshme, jo vetëm në Kosovë, por edhe në rajon. Për këtë jam i bindur që ShBA do ta mbajë ‘Bondsteel’-in, do t’i mbajnë trupat e tyre këtu për jetë e mot”, thekso ai.