Istog/ Koalicion qytetar të vlerave kundër koalicionit të vjedhjes dhe prostitucionit

10.12.2017 12:07:58

Nga Rexhep Kastrati

Me rrëzimin e votave me postë, që u bë falë qytetarisë dhe kurajos së istogasve, të cilët me dëshmitë e tyre denoncuan një proces manipulimi dhe falsifikimi të votave, u shënua një fitore e demokracisë në këtë komunë.

Siç dihet tashmë, në një proces manipulimi dhe falsifikimi të votave me postë, e që ekskluzivisht ishin vota për Gani Dreshajn, përveç manipulimit dhe falsifikimit të vullnetit të qytetarëve, ishte bërë edhe keqpërdorimi i të dhënave personale të tyre.

PZAP, për të gjitha këto ka inicuar procedurë hetimore në Prokurori  me mundësi që kryesit e këtyre manipulimeve dhe falsifikimeve, duke mos përjashtuar as z. Dreshaj, të përfundojnë me dënime penale.

Mirëpo, as dokumentimi i manipulimeve dhe  falsifikimeve të rënda të vullnetit të qytetarëve, as i të dhënave të tyre personale, por as informacionet për Gani Dreshajn si biznesmen prostitucioni ku thuhet se ka të punësuar edhë vajzën, nuk kishte ndikuar te partitë e tilla si PDK e VV që të bëjnë koalicion  me këtë biznesmen, duke dëshmuar se përfaqësojnë të njëjtën frymë manipulimi dhe falsifikimi.

Koalicioni këtillë, në fakt është kundër vlerave thelbësore njerëzore dhe të familjes, sepse me këtë koalicon po legjitimohet politikisht manipulimi dhe falsifikimi i vullnetit dhe të dhënave personale të qytetarëve, po legjitimohet politikisht edhe një lloj biznesi që cenon vlerat e familjes.

Prandaj, ky koalicion nuk do të duhej të përfaqësonte as votuesit e këtyre partive, pasi që vlerat e familjes janë vlera mbi partiake dhe jashtëpolitike. Secili qytetar do të duhej ta ndjente veten të ofenduar dhe të cenuar qoftë në dinjitetin e tij, qoftë në sigurinë e privatësisë dhe të dhënave personale.

Istogasit, duhet ta bëjnë një koalicion qytetar për mbrojtjen e vlerave të familjes dhe të dhënave personale, një koalicion që do ta shpëtonte edhe një herë komunën dhe demokracinë nga kapja e atyre që do të herohen, gjykohen e dënohen për vepër penale.

Ky koalicion, pra koalicioni i qytetarëve, do të duhej të deligjitimonte me votë koalicionin politik që me forma kriminale po mundohet të pushtojë komunën e Istogut dhe në këtë mënyrë të pengojë edhe një proces hetimor lidhur me manipulimin dhe falsifikimin e vullnetit dhe të të dhënave personale të qytetare.