Izetbegoviq: Bosnja do ta njohë Kosovën, serbet tronditën

14.11.2017 10:08:53
 Deklarata e anëtarit të kryesisë së Bosnjës dhe Hercegovinës, Bakir Izetbegoviq se njohja për Kosovën mund të ndodhë së shpejti, ka shkaktuar tronditje në opinionin serb.

Së pari ishte ministri i brendshëm serb, Nebojsha Stefanoviq, pastaj Presidenti i Republikës Srpska në Bosnje, Milorad Dodik dhe së fundi reagoi edhe drejtori i zyrës për Kosovën në Serbi, Marko Gjuriq.

Ky i fundit deklaratat se Bosnja mund ta njohë Kosovën i cilësoi si tronditëse dhe skandaloze.

“Deklaratat e tilla janë tronditëse dhe skandaloze, dhe transfromon raportet ndërmjet dy vendeve. Sigurisht që kjo nuk do të mbetet pa përgjigje”, tha Gjuriq për TV Pink.

Ai shtoi se autoritetet serbe do të mendojnë që t’i japin përgjigjen e duhur deklaratave të tilla.

Ministri i brendshëm serb, Nebojsha Stefanoviq gjatë ditës kishte bërë thirrje që të mbledhet Këshilli i Sigurisë në Serbi.

“Pres që presidenti i Serbisë pas deklaratave se Bosnja mund ta njohë Kosovën, të mbledhë Këshillin e Sigurisë Kombëtare në 48 orët e ardhshme. Ky organ do të shqyrtojë hapat e mëtejshëm dhe qëndrimin tonë ndaj lëvizjeve të tilla”, kishte thënë Stefanoviq.

Kurse Milorad Dodik, tha se Bosnja mund ta njohë Kosovën vetëm me pëlqimin e Republikës Srpska në Bosnje.

Sipas tij, Izetbegoviq është një politikan i dështuar, dhe për çështjen e njohjes vendosin serbët.

“Kosova nuk do të njihet nga Bosnja e sidomos jo nëse thotë Izetbegoviq, pasi kjo varet nga Republika Serbe”, deklaroi Dodik.

Ndryshe, Izetbegoviq sot gjatë ditës bëri bujë me deklaratën e tij se po punon që Bosnja ta njehë pavarësinë e Kosovës.