Kadri, me kë po tallesh: me popullin, a me ndërkombëtarët?

31.08.2018 16:30:10

Nga Rexhep Kastrati

Kadri Veseli sot recitoi dobët, një vjershë që po e përsërit vazhdimisht, por që kurrqysh nuk po e mëson si duhet. Njësoj si më parë, Kadri Veselit i është sugjeruar që të flasë me patetizëm, me hiperbolizma dhe me retorikë sipërore për të plasuar në tregun politik një mall që i ka skaduar afati moti.

Me retorikë populiste, Kadri Veseli u mundua që të bindte njerëzit se ai dhe PDK janë ajkë e patriotizmit, faktor që nuk do të lejojë as ndryshimin e kufijve, as Asociacion me kompetenca ekzekutive, por ishte e qartë sesa më e fuqishme retorika patetike, aq më e madhe bëhej trokitja e historisë në ndërgjegjen e qytetarëve.

Është kështu për faktin se qoftë çështja e ndryshimit të kufijve, qoftë edhe Asociacioni me kompetenca ekzekutive, janë çështje substanciale të angazhimit të linjës së Tiranës/Kretës dhe të SHIK-ut si pjesë e saj, e që në terren kanë ndodhur qysh më 1999.

Pra, retorika populiste, rrahagjokse dhe kamuflimi i tradhtisë kombëtare dhe shtetërore, nuk mund të zhbëjnë të vërtetën historike që si proces po vazhdon:

  1. Linja e Tiranës/Kretës ka dalë si pjesë e pazareve për ndarjen e Kosovës mbi baza etnike dhe për ndarjen klasike të saj. Për këtë qëllim u angazhua në mënyrë agresive, kriminale dhe populiste për të rrënuar linjën institucionaliste të presidentit Rugova, e cila pavarësinë e Kosovës e deklaronte si vullnet kompromisi, përballë së drejtës për bashkim kombëtar;
  2. Enklavat serbe dhe ndarja e veriut ka ndodhur më 1999, e jo më 2018, kurse gjithë vitet në vazhdim kanë qenë vite të luftës kundër linjës institucionaliste të presidentit Rugova dhe për thellimin e ndarjes etnike dhe për krijimin e rrethanave për realizimin përfundimtar të ndarjes së brendshme si “Republika Srpska”, si shkëmbim territoresh, apo siç po quhet edhe korrigjim kufijsh, dhe pse jo edhe si skenar ukrainas. Gjatë viteve të katër format janë provuar, por për shkak të rrethanave nuk janë përmbyllur ende. Të kujtojmë se Hashim Thaçi, qysh më 2001 kishte folur për shkëmbim territoresh, kurse njësitet e UÇK-së janë penguar që të shtrihen dhe ta çlirojnë edhe veriun e Kosovës. Pas takimit që Thaçi ka pasur më popin Artemije dhe me Momçilo Trajkoviqin, më 1999, ky i fundit do të deklaronte se jemi marr vesh për kanotnizmin e Kosovës. Hashimi kurrë nuk e ka përgënjeshtruar, por me angzhimin politiko-institucional, veçsa ka konfirmuar atë.
  3. Forma dhe niveli i decentralizimit në Kosovë që ka qenë pjesë e Pakos së Ahtisarit qoftë si kapitull, qoftë si aneks, është produkt i angazhimit të drejtpërdrejtë të Bajram Rexhepit dhe për çështje të monumenteve të fesë dhe të kulturës, e Ylber Hysës dhe e veton Surroit.
  4. Është Hashim Thaçi si kryetar i PDK-së, dhe si kryeministër që nga viti 2011 ka hapur edhe Pakon e Ahtsiarit, por edhe ka tejkaluar edhe detyrimet e rezolutës së Asamblesë Parlamentare të OKB-së, të vitit 2010, e më të cilën Kosova do të dialogonin për të zgjidhur çështje konkrete ndërmjet tyre, por jo edhe për rregullimin e brendhsëm, për hartë të re të brendshme apo edhe të jashtme të saj. Rezoluta e Asamblesë Parlamentare e OKB-së, e miratuar më 2010, në bazë të të cilës janë zhvilluar negociatat në Bruksel, nuk thotë askund se Kosva dhe4 Serbia duhet të bisedojnë për Asociacion me kompetenca ekzekutive, as për ndryshim kufijsh apo shkëmbim terriotresh, as për korrigjim. Negociatat në Bruksel kanë dalë tërësisht jashtë përkufizimeve të rezolutës së Asamblesë Parlamentare të OKB-së dhe janë shndërruar në negociata për territorin e Kosovës.
  5. Negociatat paralele me ato të Brukselit, ndërkaq, Hashim Thaçi i ka zhvilluar jo vetëm me Aleksandër Vuçiqin, por edhe me Ivica Daçiqin, e pse jo edhe me Boris Tadiqin dhe me të tjerë. Është përmendur, madje janë botuar edhe fotografi të një takimi gjoja të rastësishëm të Hashim Thaçit me Boris Tadiqin në prag të shpalljes së pavarësisë, ku mund të jenë marrë vesh që Serbia të mos pengonte shpalljen e pavarësisë, madje edhe mund të jenë marrë vesh edhe për formën e rregullimit juridiko-kushtetues të Kosovës që do ta bënte shtet jofunksional me mundësi të mëdha që serbët ta bllokojnë kur të duan.
  6. Në negociatat në Bruksel, Hahsim Thaçi kishte rënë dakord që Serbisë t’i jepej një rol i privilegjuar për të gjitha çështjet e brendshme të Kosovës, duke tejkaluar madje edhe pozitën që e ka pasur sipas kushtetutës së vitit 1974;
  7. Kërkesa për një platformë të përbashkët me opozitën është vetëm një përpjekje për të shpërndarë përgjegjësinë, sepse nuk ka më platformë të përbashkët, sepse procesi ka avancuar për keq, sa që për kufijtë, për territorin e Kosovës po diskutojnë jo vetëm Hashim Thaçi dhe Aleksandër Vuçiqi, por edhe shtete të fuqishme të botës, duke mos përjashtuar as SHBA-të dhe BE-në. Atëherë cila do të ishte platforma e përbashkët: ajo që legjitimon gjithë këtë proces? Prandaj, PDK dhe as Kadri Veseli nuk janë ata që mund flasin për platformë të përbashkët, e as për mbrojtje të integirtetit territorial dhe të refuzimit të të një Asociacioni me kompetenca ekzekutive.

Ato për të cilat mund të krenohet linja e Tiranës/Kretës  janë avancimi maksimal i intersave serbe në Kosovë, pastrimi i skenës politike nga politikanë me integirtet dhe me guxim politik e qytetar, dhe angazhimi i tipit agjenturor i infiltrimit dhe i rekrutimit të njerëzve brenda e rreth partive të tjera politike, pa përjashtuar as LDK-në, e që i ka mundësuar dhe i mundëson që t’i kontrollojë ato sipas interesave të tyre.

Me konferencën e sotme për gazetarë, Kadri Veseli dëshmoi edhe një herë se fshihet mbrapa angazhimeve të ndryshme të opozitës, dhe se po vazhdon të krijojë situata për të krijuar përshtypjen se PDK dhe Kadri Veseli janë faktorët kryesorë, pa të cilët nuk bën dot Kosova.

Mirëpo, kadri Veseli ka dështuar edhe sot që të paraqesë veten ndryshe nga Hashim Thaçi, dhe se përveç retorikës dhe fjalëve boshe nuk dha asnjë argument, asnjë mënyrë, asnjë fakt se si do të pengonte pazaret e Hashim Thaçit me Aleksandër Vuçiqin: do të bëhet pjesë e angazhimeve për rrëzimin e tij; do të votonte pro rezolutës së pataqitur nga opozita? Përgjia e tij ishte jo.

Prandaj, me kë po tallet kadri Veseli, me popullin, i cili po sheh se si Hashim Thaçi po bën pazare me Aleskandër Vuçiqin, apo me ndërkombëtarët që janë tepër të shqetësuar për këto pazare? Me kë po tallet Kadri Veseli, me popullin që është margjinalizuar aq shumë sa nuk epyet kush, apo me diplomatë, me burrështetas të fuiqshëm që po shprehen lidhur me këto pazare, madje edhe me letra të hapura që të mos realizohen ato?