Kadri Veseli me çdo kusht po synon ta imponojë veten lider kryesor në Kosovë

05.05.2018 11:33:52

Nga Rexhep Kastrati

Kadri Veseli nuk po lë hapësirë medietike pa përdor në funksion të imponimit të vetes si lider kryesor në Kosovë. Atij nuk po i mjafton korpusi medietik kundër LDK, por po keqpërdor edhe RTK-në, i cili sipas ligjit do të duhej të ishte një institucion publik si BBC, Zëri Amerikës etj., pra një institucion i baraspeshuar dhe i vënë në shërbim të taksapaguesve.

Kjo u pa edhe mbrëmë kur për të satën herë gjatë këtij viti, Kadri Veseli pushton studiot televizive të RTK-së, për të shpërfaqur një vetëpromovim dhe për të imponuar qëllime personale, e që lidhen me synimin për t’u imponuar si lider kryesor në Kosovë.

Edhe pse pretekst u bë platforma e tij  pesëpikëshe për krijimin e një uniteti politik në Koosvë, megjithatë, ai përdori studion e RTK-së për të riafirmuar Hashim Thaçin dhe për t’iu kundërvënë qëndrimit të ditës së djeshme të Komisionit për Politikë të jashtme kundër platformës së Qeverisë për negociatat me Serbinë në Bruksel.

Në fakt, Kadri Veseli mbështeti qëndrimin sipas të cilit negociatat me Serbinë duhet t’i udhëheqë Hashim Thaçi, si dhe imponoi platformën e tij pesëpikëshe si platformë për krijimin e unitetit politik.

Duhet thënë se platforma e tij pesëpikëshe është një platformë që nuk do të duhej të paraqitej nga Kadri Veseli edhe për faktin se si kryetar i Kuvendit nuk është në pozitë të paraqesë platforma të tilla, pasi që këto çështje më kushetutë janë çështje të Qeverisë. Edhe si kryetar i PDK-së, Kadri Veseli nuk mund të paraqesë platforma të tilla, sepse PDK nuk është partia më e madhe në vend.

Edhe në profilin e personalitetit politik, Kadri Veseli nuk është personi i duhur për platforma të tilla, pasi që ai kurrë në skenën politike nuk ka krijuar unitet, por përkundrazi ka përdorë forma të ndryshme diversive për të prishur unitet. Rasti më konkret është rasti i Qeverisë së udhëhequr nga LDK, përkatësisht nga kryeministri Mustafa, gjatë të cilës kohë, Kadri Veseli si kryetar Kuvendi dhe si kryetar i PDK-së ka bërë diversion të hapur dhe jotëhapur kundër asaj Qeverie, ashtu siç po bën diversion edhe ndaj Qeverisë aktuale.

Megjithatë, mbrëmë Kadri Veseli me mbështetjen e fuqishme që ia bëri qëndrimit që negociatat me Serbinë t’i udhëheqë Hashim Thaçi dhe lartësimin që ia bëri atij, sikur nxori në lajthitje ata që kujtuan se këta dy veçsa nuk i kanë nxjerrë armët kundër njëri-tjetrit, duke dëshmuar se e tëra është një lojë, ose nuk është në përmasa çfarë paraqitet.