Kerry: Ekstremistët në Pakistan pengojnë paqen në rajon

01.09.2016 07:54:29

Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry, kërkoi nga Pakistani të eleminojë strehat për grupet ekstremiste, që, sipas tij, pengojnë paqen në rajon.

Gjatë qëndrimit në Indi, Kerry tha se pavarësisht përparimit në muajt e fundit, Pakistani duhet të luftojë edhe më fuqishëm kundër militantëve, që fshihen brenda kufijve të tij.

“Ata duhet të punojnë me ne, për t’i pastruar këto streha të aktorëve të këqij, të cilët ndikojnë jo vetëm marrëdhëniet midis Pakistanit e Indisë, por edhe mundësitë për të arritur paqe dhe stabilitet në Afganistan”, tha Kerry.

SHBA akuzon agjencinë e inteligjencës në Pakistan se mbështet militantët e rrjetit Hakani. Ushtria Pakistanit ka nisur operacione në Vaziristanin Verior, ku e ka bazën Hakani.