KMDLNJ e cilëson kidnapim deportimin e shtetasve turq

30.03.2018 14:13:56
Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive me seli në Prishtinë ka kërkuar përgjegjësi nga të gjithë akterët e përfshirë gjatë deportimit të gjashtë shtetasve turq nga Kosova. Ky Këshill, përmes një komunikate për media, vlerëson se shkarkimi i ministrit të Brendshëm dhe Shefit të AKI-së nuk mjafton.

“Disa individë të papërgjegjshëm, duke kidnapuar gjashtë shtetas të Turqisë, me leje pune dhe leje për qëndrim të përkohshëm në Kosovë, të gjithë intelektualë të nivelit të lartë, pa të kaluar kriminale e vulosën Kosovën si vendin më antidemokratik në botë, si shkelësin më të madh të të drejtave të njeriut, si zbatuesin besnik të urdhrave të një autokrati dhe shkelësi të madh të drejtave të njeriut në Turqi”, thuhet në komunikatën e KMDLNJ-së.

“Se ky ka qenë kidnapim e jo arrestim tregon fakti se ata janë arrestuar pa një vendim të gjykatës apo se ky vendim, edhe nëse ka ekzistuar nuk u është treguar, as të arrestuarëve e as familjarëve sikur që nuk është treguar vendndodhja e tyre duke ua mohuar të drejtën elementare të personave të privuar nga liria, të drejtën e komunikimit me mbrojtës që i zgjedhin vet apo që janë caktuar sipas detyrës zyrtare”, theksohet në këtë komunikatë.