Kongresistët amerikanë: Amerika e mbështet pa rezervë Kosovën

19.02.2017 10:38:23

Delegacioni i kongresistëve amerikanë ka vazhduar të dielën ditën e dytë të vizitës në Kosovë. Ata janë takuar në mëngjes me kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, me të cilin kanë zhvilluar një konferencë të përbashkët për media.

Peter Roskam, anëtar i Kongresit amerikan, ka thënë se ky është rasti i parë që anëtarët e Kongresit udhëtojnë jashtë SHBA-ve pas betimit të bërë muajin e kaluar.

“Kosova është ndalesa jonë e parë. Kjo ndodh sepse ky vend është shumë i rëndësishëm. E gjithë bota i ka sytë kah Kosova dhe e gjithë bota po punon për Kosovën në njëfarë forme. Ne padyshim se jemi. Ne besojmë se një Kosovë stabile, ku janë të përfshira të gjitha palët qeverisëse, është ajo Kosovë që ne e dëshirojmë”, ka thënë ai.

Raportet e mira mes dy vendeve u theksuan nga kongresisti David Prince.

“Një pjesë qëllimit të kësaj vizite është që të japim sinjalin se pavarësisht ndryshimeve në udhëheqësinë e vendit tonë, ne kemi një politikë dy-partiake në Ballkan, e në veçanti me Kosovën, dhe jemi të përkushtuar që këtë politikë ta vazhdojmë. Kemi qenë me Kosovën që nga fillimi”, tha ai.

Në anën tjetër, kryeparlamentari Veseli ka thënë se vizita e këtij delegacioni konfirmon përkrahjen e fuqishme nga SHBA për Kosovën edhe nga administrata e re e udhëhequr nga Trump.

‘’Dua të ripotencoj konfirmimin e një përkrahjeje të fuqishme nga SHBA për Republikën e Kosovës edhe nga administrata e Presidentit Trump’’ u shpreh Kadri Veseli.

Veseli poashtu tha se është falënderues ndaj kongresmenëve amerikanë për bashkëpunimin që kanë me Kuvendin e Kosovës.

Sipas tij, kongresmenët e SHBA-së çdo herë përçojnë mesazhe të reja të lirisë për vendin dhe demokracinë.