Kosova dhe Bullgaria do thellojnë bashkëpunimin ekonomik

23.09.2016 18:42:58
Në vazhdimin e punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, Ministri i Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës, ka vazhduar me agjendën e takimeve me homologët nga vendet pjesmarrëse në AP.

Gjatë ditës së sotme Ministri Hoxhaj, ka takuar Ministrin e Jashtëm të Armenisë, Eduard Nalbandyan, vend ky i cili ende nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës.

Hoxhaj dhe Nalbandyan kanë diskutuar për thellimin e bashkëpunimit në të ardhmen dhe në fusha të ndryshme.

“Kosova dhe Armenia kanë shumë vullnet dhe mundësi për të punuar në fusha të ndryshme. Më këtë qasje u pajtuam së bashku me homologun tim nga Armenia. Ne mbesim të interesuar për ta shtyrë përpara këtë agjendë shkëmbimesh” ka thënë Hoxhaj.

Sot, kryediplomati Hoxhaj ka takuar edhe homologun e tij nga Bullgaria, Daniel Mitov, vend ky shumë mbështetës për Kosovën në të gjitha drejtimet.

“Me ministrin e jashtëm bullgar Daniel Mitov, diskutuam për marrëdhëniet e shkëlqyeshme mes vendeve tona, dhe u pajtuam që në të ardhmen  të thellojmë bashkëpunimin dhe shkëmbimin ekonomik” i cili është në njē nivel të kënaqshëm” ka thënë Hoxhaj.

Agjenda e takimeve e ministrit Hoxhaj do të vazhdoj edhe ditët e ardhshme në New York.