Kryeministri francez: Do të ketë sulme të tjera, duhet të mësohemi me këto kërcënime

20.07.2016 06:45:45

Kryeministri francez, Manuel Valls paralajmëroi se mund të presin sulme të reja dhe se francezët duhet “të mësohen të jetojnë me këtë kërcënim”.

“Edhe pse ishte e vështirë për mua të them, kjo është detyra ime, mund të ketë shumë sulme dhe shumë njerëzit të pafajshëm do të pësojnë dhe vuajnë”, ka thënë Valls para deputetëve francezë gjatë debatit për vazhdimin e gjendjes së jashtëzakonshme në vend.

“Ne nuk jemi mësuar, por duhet mësuar të jetojmë me këto kërcënime”, tha Valls.

Në Francë, për 18 muaj kanë ndodhur tri sulme të mëdha terroriste.

Presidenti francez, Francois Hollande, tha se janë duke menduar mundësinë e zgjatjes së gjendjes së jashtëzakonshme në vend, për gjashtë muaj, pas sulmeve terroriste të javës së kaluar në Nicë që vranë 84 persona.