Kryeministri Mustafa: Çështja e personave të pagjetur mbetet plagë e rëndë e Kosovës

08.12.2016 18:39:40

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, së bashku me ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar, Ruairi O’Connell kanë lansuar projektin mbështetës të Mbretërisë së Bashkuar për të ndihmuar Qeverinë e Kosovës në zbardhjen e fatit të personave të zhdukur nga lufta e fundit në Kosovë.
“Kjo përkrahje, veçmas është rezultat i vizitës që kishte në Kosovë Princi Charles, i cili tregoi një kujdes të veçantë dhe një dhimbje të veçantë për personat e pagjetur dhe për familjarët e këtyre personave. Prandaj, unë dëshiroj të falënderoj Mbretërinë e Bashkuar, familjen mbretërore për këtë kujdes që tregojnë për Kosovën, dhe po ashtu të them që Qeveria e Republikës së Kosovës është shumë e interesuar që të mbaj një partneritet të tillë me një partner kaq serioz dhe kaq të përkushtuar ndërkombëtar siç është Mbretëria e Bashkuar, në mënyrë që atë që mund ta bëjmë bashkërisht ta bëjmë për ndriçimin e fatit të personave të cilët akoma nuk janë gjetur dhe veçmas që të shuajmë dhimbjen e familjes së tyre dhe rrethit të tyre por edhe të gjithë kosovarëve sepse të gjithë ne ndjehemi shumë keq për 1660 persona të cilët akoma kërkohen dhe nuk janë gjetur”, u shpreh kryeministri Mustafa.

Kryeministri Mustafa gjithashtu bëri të ditur se përmes këtij projekti do të trajtohet fuqizimi i kapaciteteve institucionale, zbatimi i vlerësimit me qëllim të plotësimit të infrastrukturës ligjore dhe rritjes së rezultateve përmes rritjes së bashkëpunimit në mes akterëve kryesorë vendorë dhe atyre ndërkombëtarë.

“Unë vetëm dëshiroj të them se çështja e personave të pagjetur mbetet plagë e rëndë e kosovarëve, e shtetit të Kosovës, jo vetëm e familjeve të tyre dhe jo vetëm e komisioneve dhe njerëzve të cilët punojnë drejtpërdrejt me këto çështje. Qeveria e Republikës së Kosovës do të vazhdoj të përkrah plotësisht punën e institucioneve që merren me këtë fushë dhe do të mundohet maksimalisht që t’i merr parasysh të gjitha kërkesat, vërejtjet, propozimet dhe angazhimet e juaja në mënyrë që puna jonë të jetë sa më efikase dhe të arrijmë që sa më mirë ta bëjmë këtë punë”, tha kryeminsitri Mustafa.