Kryeministri Mustafa: Tani hapet një kapitull i ri i marrëdhënieve dhe mbështetjes së NATO-s dhe po ashtu fuqizohet roli i Kosovës si faktor i stabilitetit në rajon

08.12.2016 20:43:46

Kryeministri Mustafa ka njoftuar nëpërmjet një postimi në facebook për letrën që kishte marr nga sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, si përgjigje letrës që ia kishte dërguar në nëntorin e vitit të kaluar. Në postimin e tij, kryeministri Mustafa thotë se tani hapet një kapitull i ri i marrëdhënieve me NATO-n, si dhe shpreh përkushtimin e tij dhe të Kosovës për procesin e anëtarësimit gradual në NATO.

“Mora një lajm tepër të rëndësishëm nga Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, si përgjigje në letrën që ia kisha adresuar në nëntor të vitit të kaluar. Këshilli i Atlantikut Verior është pajtuar për fuqizimin bashkëveprimit të NATO-s me Kosovën.
Tani hapet një kapitull i ri i marrëdhënieve dhe mbështetjes së NATO-s dhe po ashtu fuqizohet roli i Kosovës si faktor i stabilitetit në rajon dhe si një partner i besueshëm i NATO-s në përballimin e sfidave rajonale dhe globale të sigurisë.
Shpreh përkushtimin e Kosovës që gradualisht të avancojë në procesin e anëtarësimit dhe që në një periudhë optimale të bëhet anëtare e plotë e NATO-s.” – thuhet në postimin e kryeministrit Mustafa.