Kujtohet Budi, Agron Tufa: Letërsia e vjetër si repertori më në rrezik!

23.12.2016 23:53:37

Kanë kaluar 450 vjet nga lindja e priftit, për të cilin u shpall vit përkujtimor jashtë vëmendjes zyrtare të shtetit, si vullnet individual i një njeriu të vetëm, Behar Gjokës me Qendrën Studimore quajtur “Pjetër Budi”. Me konferencën e djeshme shkencore është mbyllur cikli i veprimtarive përgjatë gjithë vitit që janë organizuar për Budin, duke shënuar një rast unik. Dy pelegrinazhe në kullën e Budit, që mbijeton ende, në Gur të Bardhë, nderimi nga Presidenti Bujar Nishani për veprimtarinë e Budit, jo vetëm nën petkun e priftit, si dhe ndërmarrja e studiuesve më kompetentë

Të përkthesh gjuhën amtare që nuk ekziston ose siç vetë Budi e ka shprehur: “me dasht me thoush shqip”, është nga rastet që i jep dimension pothuaj hyjnor gjuhës duke krijuar kuptimin e saj. Kanë kaluar 450 vjet nga lindja e priftit, për të cilin u shpall vit përkujtimor jashtë vëmendjes zyrtare të shtetit, si vullnet individual i një njeriu të vetëm, Behar Gjokës me Qendrën Studimore quajtur “Pjetër Budi”. Me konferencën e djeshme shkencore është mbyllur cikli i veprimtarive përgjatë gjithë vitit që janë organizuar për Budin, duke shënuar një rast unik. Dy pelegrinazhe në kullën e Budit, që mbijeton ende, në Gur të Bardhë, nderimi nga Presidenti Bujar Nishani për veprimtarinë e Budit, jo vetëm nën petkun e priftit, si dhe ndërmarrja e studiuesve më kompetentë, por dhe të rinj modestë për të shënjuar ende një personalitet që njihet më pak nga letërsia e vjetër shqipe.

“Autorët e letërsisë së vjetër shqipe kanë kontribuar si në përftimin e elementeve që jetuan gjatë në traditën e lëvrimit të shkrimit të shenjtë në gjuhën tonë, ashtu dhe duke reflektuar jo rrallë përdorime, konotacioni i të cilave merr kuptim pikërisht në përbërje të teksteve të veprave të tyre. Duke iu përshtatur lëvrimit dhe konsolidimit të një terminologjie që reflekton qartë përmasat e një vështirësie të kuptueshme, të tillë autorë kanë bërë të mundur të bëhet pjesë e një tradite shkrimore, një leksikon i rëndësishëm për jetën mendore e fetare të popullit tonë. Si një nga autorët më të rëndësishëm të një tradite që shënoi letërsinë tonë të dokumentuar, Pjetër Budi ofron nëpërmjet teksteve të përpiluara prej tij mundësinë e shqyrtimit të trajtave që nënvizojnë prirjen për vijimësi përdorimi, por dhe të elementeve që paraqesin veçanti në pikëpamje të konotacionit që marrin pikërisht në këto tekste” ka thënë në fjalën e saj, studiuesja Evalda Paçi, duke pasqyruar Pjetër Budin në një traditë studimesh mbi historinë e letërsisë së shkruar shqipe. Për këtë Paçi sheh më tej se për profilin e këtij prelati jo vetëm të letrave shqipe ka përfshirë gjerësisht historianë dhe kërkues të dokumentacionit arkivor, gjuhëtarë e filologë të tekstit, historianë të letërsisë shqipe, por dhe bëri të mundur që të kryhen vëzhgime ndërdisiplinore që i mundësonte ndër të tjera vetë rrugëtimi i ndërlikuar biografik i Budit.

 

Për shkrimtarin dhe studiuesin Agron Tufa, Budi është ende i mbuluar me misticizëm, dhe duhet kuptuar në gjuhën e tij. Por, reagimi i Tufës shkon më tej mbi gjithë natyrën dhe zhvillimet e gegnishtes, me ndërprerjen e saj nga diktatura, ku letërsia sot e prodhuar nga shkrimtarë të veriut është pothuaj e injoruar nga lexuesit e sotëm. Lidhja e drejtpërdrejtë me autorët e vjetër të shqipes, si dhe me autorët e para ’45 që shkruajtën gegnisht për Tufën po mbetet më delikate në shkolla, qoftë në ato të mesmet, apo universitare.

“Budi duhet kuptuar në gjuhën e tij, sot gjimnazistët dhe studentët nuk dinë të lexojnë Fishtën, e sigurisht as Budin. Njohin gjithë gjuhët e Evropës, dhe nuk e kanë për turp të thonë se nuk lexojnë dot Budin. Shqipja po bëhet një gjuhë e vdekur…Nëse do të kishim një situatë tjetër gjuhësore ashtu si italianët me Danten, do kishim ruajtur shijen e shqipes”, është shprehur Tufa.

Ndërsa për ta çuar më tej këtë pasuri që trashëgojmë nga letërsia më e hershme e shqipes, studiuesja Paçi ndalet në fund në faktin e botimit të veprës së Budit: “Botimi i plotë i varianteve të veprave të tij mbi bazë kriteresh filologjike dhe kritike mbetet një objektiv i domosdoshëm arritjeje për filologjinë shqiptare. Disponimi i këtyre botimeve dhe konkordancave sa më të plota mbi veprën e Pjetër Budit do të bëjë të mundur dhe kontekstualizimin e saj në përbërje të një thesarusi gjithëpërfshirës që ngërthen në radhë të parë veprat e letërsisë së vjetër shqipe, më tej evidentime dhe dokumentime të mëvona që pasqyrojnë jetëgjatësinë e përdorimeve më të rëndësishme nga këto vepra”.

Pikërisht ky autor, përfshirë dhe autorët e tjerë që bëjnë hershmërinë e letërsisë shqipe, që deri tani nga përcaktimi zyrtar, e cilësuar si letërsisë e vjetër e shqipes, – për Agron Tufën është repertori më në rrezik, një studim sistematik që duhet të nisë e hedhë rrënjë qysh në fazën arsimore të nëntëvjeçares dhe të mos trajtohen dialekti i shqipes si gjuhë e huaj.

Në këtë përmbyllje të kremtimit të vitit të Budit, organizatori i të gjitha veprimtarive, duke përmbushur misionin e transmetimit, Behar Gjoka thotë: Pas gjithë këtyre argumenteve, shkencore dhe letrare, themi se Budi është i yni dhe se ky është rasti kur shteti nuk është me kulturën