Kur mediet dhe portalet marrin rolin e fallxhoreve dhe nxjerrin fall

14.05.2017 18:01:42

Nga Rexhep Kastrati

Vendimi i kryeministrit Mustafa, dhe kryetar i LDK-së, i marrë më 2014, dhe i bërë publik më 13 maj në përvjetorin e degës së LDK-së në Istog, se në mandatin tjetër nuk do të jetë ai kandidat për kryeministër, por dikush tjetër, ka kthyer korpusin medietik në fallxhore rrugësh që nxjerrin fall se kush do të jetë kandidati në fjalë. Një ditë nxjerrin disa emra, një ditë tjetër shtojnë të tjerë, heqin disa, dhe sikur të shtyhen se kush po ia qëllon, përmendin edhe emra të veçantë si të sigurt se mund të jenë kandidatë për kryeministër nga radhët e LDK-së.

Dhe kjo i bie sikurse rasti i orës së prishur që tregon orën e saktë vetëm dy herë: ditën dhe natën kur është ora në përputhje me pozicionin e akrepave të orës së prishur. Prandaj, edhe përmendin sa më shumë emra, në mënyrë që eventualisht mos rastësisht po del ndonjëri nga ata dhe të thonë: Ja ne e kemi thënë të parët!

Lakimi i emrave të supozuar si kandidatë të mundshëm të LDK-së për kryeministër, ndërkaq, ka edhe arsye të tjera. Një nga arsyet është që të digjen, sipas logjikës së dekonspirimit. Sipas kësaj logjike, nëse dikush do që ta djegë një apo disa kandidatë të mundshëm, i paraprin vendim-marrjes që t’u ndihmohet atyre që mund të jenë kundër ndonjë kandidati. Në anën tjetër, medie dhe portale të ndryshme që shiten si pro LDK, apo pro rugovizëm, u mëshojnë emrave të tjerë, që gjatë viteve mund të kenë pasur qasje dhe qëndrime të ndryshme apo të kundërta me linjën zyrtare dhe me vendim-marrjen partiake. Dhe kjo është loja e mbrapshtë që po zhvillohet edhe në bazë të logjikës së gjetanishme të goditjes së LDK-së në anë të kundërta.

Dhe derisa ndodh kështu me LDK-në, asnjë medie apo portal nuk trajton apo analizon kandidaturat e deklaruara të partive të ndryshme për kryeministër, edhe pse qoftë PDK, qoftë AAK, qoftë edhe VV kanë kandidatë që janë përfolur vazhdimisht edhe për lidhje me krimin, edhe për lidhje me agjentura të ndryshme, edhe për kapje të shtetit, edhe për tenderomani etj.

Askush nuk e shtron çështjen se çfarë fillimi të ri mund të premtojë njeriu i SHIK-ut i një organizate kriminale që është përfolur për krime të ndryshme, për vrasje politike.

Askush nuk shtron çështjen se çfarë rruge të drejtë mund të premtojë dikush që është përfolur për haraç dhe për forma të tjera, madje edhe kriminale.

Askush nuk e shtron çështjen se çfarë shteti, çfarë qeverisje mund të premtojë dikush që nuk e njeh shtetin, apo dikush që i quan njerëz të Serbisë ata që festojnë 17 shkurtin, apo që thonë se do t’i tërheqin zvarrë politikanë e gazetarë bashkë.

Por merren me një teknicien, me një ekonomist dhe me një politikan që gjatë karrierës së vet shkencore, pedagogjike, intelektuale është munduar të bëjë më rë mirën për vendin, dhe edhe përse ka dyfishin apoçerekun e moshë më shumë se të tjerët dhe është sfiduar në kontekste të ndryshme socio-historike, megjithatë  e dorëzon postin e kryeministrit si kryeministri më i mirë i vendit, me sukseset më të mëdha të arritura ndonjë herë, dhe me obstruksione nga brenda dhe nga jashtë Qeverisë, nga brenda dhe nga jashtë partisë.

A është kjo shkolla e përbaltjes si shenjë e përkatësisë me botën e krimit, të korrupsionit që kanë prostitutat medietike?

A është kjo shenjë e dëshmisë për besnikërinë ndaj strukurave mafiozo-politike si kusht që ata një ditë të futen në politikë?