Kusari-Lila “godet” edhe AAK-në: Alternativës… po i bashkohen edhe asamblistë nga AAK

02.11.2016 20:54:46
Sonte në emisionin “Komiteti” te Express-it, kryetarja e komunës së Gjakovës, Mimoza Kusari-Lila, ka folur për partinë e re, si njëra ndër themelueset e saj, dhe për emrat e parë që janë bërë pjesë e saj.

Kusari-Lila ka thënë se me fillimin e kësaj partie, në komunën që ajo qeveris i janë bashkuar shumica dërrmuese e asamblistëve të ish-partisë së saj, Aleanca Kosova e Re, të cilët, sipas Kusari-Lilës, kanë qenë gjithnjë të gatshëm të largohen nga AKR-ja, kurdo që ajo do ta kërkonte.

Përveç shumicës së asamblistëve të AKR-së së Behgjet Pacollit që i janë bashkuar Alternativës së Re, Kusari-Lila ka përmendur edhe disa asamblistë nga partitë tjera si Lidhja Demokratike e Dardanisë, por befasia e gjithë kësaj janë asamblistët nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.

Duke kujtuar luftën e ashpër elektorale që është zhvilluar në Komunën e Gjakovës, ndërmjet Kusari-Lilës që përfaqësonte AKR-në, dhe AAK-së, Kusari-Lila në “Komiteti” ka thënë se ndjehet e lumtur që përkundër çdo akuze që i është bërë nga AAK-ja, ajo me punë ka arritur që t’i kthejë në anën e saj  edhe një pjesë të asamblistëve të tyre.