Lista “Srpska” produkt i Daçiqit dhe Thaçit për krijimin e “Republika Srpska” në Kosovë

09.04.2018 22:36:00

Nga Rexhep Kastrati

Pas fitores së listës “Srpska” në nëntë komuna në Kosovë, në dhjetor 2013, ambasadorja amerikane, Jackobson, pat thënë se duhet pasur kujdes nga krijimi i “Republika Srpskës” në Kosovë. Ky ishte paralajmërimi më serioz se fitorja absolute në komunat me shumicë serbe, e bënte listën “Srpska” një promotore dhe mekanizëm për krijimin e “Republika Srpska” në Kosovë.

Tashmë kur kanë kaluar më shumë se katër vjet nga ai paralajmërim i ambasadores Jackobson, mund të thuhet se shqiptarët u desh ta merrnin më me shumë seriozitet paralajmërimin e saj dhe të bënin gjithçka që të mos avanconte kaq shumë kjo çështje sa që sot të ketë informacione se hashim Thaçi është takuar në mënyrë sekrete me Vuçiqin dhe kanë biseduar për shkëmbim territoresh, për “Republika Srpska” etj.

Në fakt, në aspektin legal dhe atë ndërkombëtar, Hashim Thaçi dhe Ivica Daçiq, listën “Srpska” e kishin krijuar me Marrëveshjen e 19 prillit 2013, në të cilën shumica e pikave të saj, kishin të bënin me krijimin e Asociacionit me komptetenca ekzekutive, në kundërshtim me kushtetutën e Republikës së Kosovës që nuk njeh pushtet të tretë ekzektiv, pos atij qendror – Qeverinë, dhe atij lokal- puhstetin komunal.

Zhvillimet e më vonshme treguan se Thaçi dhe Daçiq mund të kenë pasur edhe marrëveshje të tjera sekrete, siç mund të ketë qenë edhe marrëveshja eventuale që Hashim Thaçi të krijonte “Republika Srpska”, kurse serbët të jepnin votën për transfomimin e FSK-së në FA, pra pa emërtimin “Republikë”, dhe me ç’rast, në kuadër të “Republika Srpska” do të funksionte një strukurë ushtarake, formalisht pjesë e FA-së.

Këtë e bën më të besueshëm edhe fakti se lista “Srpska” një kërkesë për një strukurë të tillë ekskluzivisht për serbët e ka paraqitur më 2014, por edhe fakti se Hashim Thaçi ka deklaruar më shumë se njëherë se më 2014, pra para zgjedhjeve të atij viti, ka pasur pëlqimin e serbëve për transformimin e FSK-së në FA.

Është për të theksuar se çështja e “Republika Srpska” në Kosovë, çështja e transfomimit të FSK-së në FA janë duke e ndjekur njëra-tjetrën, përkatësisht janë ndërlidhur vazhdimisht, duke bërë të qartë se më 2013, mund të ketë zënë fill kjo histori që po vazhdon, dhe për të cilën u desh një Qeveri që varet ekskluzivisht nga lista “Srpska”, në të cilën kohë po ndodhin takime sekrete ndërmjet Thaçit dhe Vuçiqit.