Lokacioni më sekret kinez gjatë Luftës së Ftohtë

18.03.2017 17:26:52

Ky dikur ishte lokacioni më sekret në Kinë dhe në botë, me detyrë vdekjeprurëse gjatë epokës së Luftës së Ftohtë: prodhimin e plutonium për bomba atomike.

Instalimi ‘816 është ndërtuar për 17 vite, thellë në një mal të mbuluar me bimësi të dendur, në jugperëndim të Kinës. Në ndërtim punuan 60 mijë ushtarë, ditë e natë, në kushte tepër të vështira e të rrezikshme.

Ndërtimi nisi më 1967, tre vjet pas Kina me sukses testoi armën e saj të parë atomike, shkruan Yahoo News, transmeton Telegrafi.

Baza ka një sipërfaqe prej 100 mijë metra katrorë, me vëllimin sa 600 pishina olimpike. Ajo ka rrjetin më të madh me tunele artificiale, me gjatësi totale prej mbi 20 kilometrave.

Ndërtimi ka kushtuar 80 miliardë juanë (afro 11 miliardë euro), por për ironi, asnjë material nuklear nuk ka kaluar aty për shkak të ndryshimeve të mëdha politike. Kina vendos raportet diplomatike me SHBA-të më 1979, e pastaj ato rregullohen edhe me BRSS-të. Kështu, vendi u braktis më 1984.

Dyert e saj për kinezët hapen më 2010, e për të huajt më 2016. Deri sot atë e kanë vizituar 300 mijë kinezë dhe 100 të huaj. Por, veç 10 për qind e korridoreve dhe hapësirave të mëdha është e hapur për publikun.

Shndërrimi në atraksion turistik nuk është ngushëllim për ushtarët që kanë punuar në kushte ferri e ku zyrtarisht kanë vdekur 76 persona. Shumë të tjerë kanë mbetur me pasoja e sot nuk marrin kurrfarë pensioni e as ndihmë sociale

“Na kanë shumë borxhe. E dhamë gjakun, djersën, rininë tonë këtu”, thotë një ish-ushtar që ka punuar aty. /Telegrafi/