Lufta e shqiptarëve në Qafë të Qakorrit deri në Plavë e Guci!

26.12.2017 15:49:58

Nga Sinan Kastrati

Ushtarët nga Kosova e oficerët nga Shkodra luftuan në mbrojtje të tokave në Qafë të Qakorrit, Kullë e deri në Plavë e Guci, kundër partizanëve nga Mali i Zi?

Kush ishin ushtarët vullnetarë shqiptarë e oficerët shkodranë në mbrojtje të trojeve shqiptare në Qafë të Qakorrit në Beran e në Plavë?

Kush ishin Kapetan Palushi e Kapetan Rudi?

Kush ishte Ali Ukshini dhe pse e vrau Mstafë Ibishin e Kramavikit ?

Imer Maliqi i Nokshiqit, kush ishte ky burrë ?

 

Edhe njëherë po këthehem te shkrimi i djeshëm (e hënë,25 dhjetor 2017),” Kaqakët e parë dhe komitët e fundit në Kosovë ishin Kastrat

Në shtator të vitit 1979 u takova për herë të parë e të fundit me bacën Kolë, Kolë Jakovën në hotelin Grand në Prishtinë. Ai së bashku me Dritëro Agollin, Elena Kadarenë dhe dy historianë të rinj, profesorë kishin ardhur në Kosovë. Kola ishte një burrë i gjatë, afro 2 metra, tipik shkodran sikurse që i ka edhe heronjët e vetë në dramat e veta, ”Herojt e Vigut” … e ”Halili e Hajrija”. Me bacën Kolë bisedova për ”dramën” e Halilit dhe unë e thash mendimin tim, gjithnjë sipas asaj që kisha dëgjua dhe këngës popullore. Baca Kolë u pajtua plotësish por për Skënderbeun, ai ngulte këmbë se ka lindur në krahinën e Hasit të Gjakovës. Por jo vetëm kaq, ai nuk pajtohej as me të tjerët kur ishte fjala për Skënderbeun e as nuk e përfillte as mendimin e historianëve të tjerë të mëhershëm e të më të vonë për jetën dhe veprën e Gjergj Kastriotit- Skënderbeut.

 

Imer Maliqi. Nuk ka burrë më të njohur, trim më të madhë e shpijanik se sa Imer Maliqi i Nokshiqit. Baba Ukë më thonta se pas Ali Pashë Gusisë, burrë më të fortë se Mixha Imer nuk ka pasur Plava e Gucia.

Kush ishin oficerët shkodranë

Ai tregonte se si në vitet e 1943, 1944, nuk jam i sigurtë saktësisht se bashkë me ushtarë vullnetarë nga Kosova dhe oficerët shkodranë, si ushtar i Shypnisë në Peje kishim organizua mbrojtjen e trojeve shqiptare nga sllavo-komunistët malazezë e jugosllavë që nga nga Çakorri e deri në Beran, Plavë e Guci. Kjo kohë njihet si ”Koha e Shypnisë” ndërsa të tjerët, serbët e malazeze e quajnë edhe tash si koha e ”Shypnija e madhe”.

Nga rrethi i jonë, i Llapushës ishin shkua si ushtarë vullnetarë në Pejë Lil Derguti, Avdyl Imeri të Turjakës, Nezir Sinani i Lubizhdës, Rexhep Hajdari i Dragabilit, Azemi , djali i Veli Bajramit i cili është i humbur, nga Panorci etj.

Te mixha Imer Maliqi e kemi pas vendin më të sigurtë ku kemi ndejtur. Ai na ka pritur më së miri me qehre, bukë e kripë, nder e besë e besa edhe llafe e muhabet që askund tjetër dhe te askush nuk e kemi gjetut. Ay, te Mixha Imer Maliqi i kemi hangër edhe dy silla të Bajramit.

Imer Maliqi, thot baba, njëherë më tha: -Ukë pa kam qef me ta dhan ni qikë se mu ka bâ taman për me përcjell. U ngushtova por i kallxova drejt: -Mixha Imer, jam i martuar.

Oficerët, sipas babës Ukë, Lil Dregutit dhe Avdyl Imerit kanë qenë nga Shqipëria, Ka pas edhe oficerë nga Jugu i Shqipërisë, toskë siq i quanin ata por nuk më kujtohen emrat e atyre ndërsa emrat e dy oficerëve nga Shkodra, që më kujtohen kanë qenë Kapetan Palushi dhe Kapetan Rudi.

Për të parin, baba më ka thënë se kur kapitllon Italia e ndoshta edhe Gjermania, Kapetan Palushi ka ikur bashkë me ushtarët dhe oficerët gjerman. Në detaj që nuk e harroj është ky, tregonte Ukë Imeri. Ishim në roje bashkë me Lil Dergutin kur erdhi një kolonë me automjete ushtarake nga Peja në drejtim të Malit të Zi. Ecshin ngadalë saqë të dukej sikur nuk po lëvizin. Në një automjet, sikur gazikat e pash një të njohur por me uniforme tjetër. I thash Lilit: – Lil, më duket se ishte një njeri i njofshëm dhe vrapova derisa se u afrova afer automjetit ushtarak e njanen kam e qita në kerr dhe e pash për së afërmi. Me të vërtet kishte qenë Kapetan Palushi me uniformë gjermane. I thash: -Zotni Kapetan, për ku je nisur e ku po na len neve? Ai më tha: -Ukë, pleqt e tanë në Shkodër kishin pas thân: ”Më i mirë asht me kjen qen i të fortit se plak i të ligut sepse qenin e të fortit nuk guxon kush me e nguc kurse plakun e të ligut, ia shkunin mjekrren”. – Edhe ju duhët të ikni se kemi humbur. Rrxoni naj urë e kallne ndonje kalibë e ndoshta pshtoni dhe e merrni naj penzi.

Ndërsa për Kapetan Rudin, baba nuk dinte se çka ka ndodhur por posa mi dërgoi një miku im, Dr. Muhamet Shatri disa të dhëna dhe dy foto të Kapetan Rudit.

Unë po i publikoj pa asnjë ndërhyerje. ” Hysni (Muharrem) Rudi (1917-1947). Ushtarak, veprimtar i shquar i Lëvizjes Kombëtare. Kreu Kolegjin Ushtarak në Romë (1936), Akademinë Ushtarake në Torino (1938) dhe Shkollën e Lartë Ushtarake të Inxhinierisë në Romë (1942). Kah mesi i vitit 1942 u caktua komandant batalioni i Ushtrisë Shqiptare në Pejë dhe mori gradën kapiten. Si epror ushtarak, me repartin e artilerisë ishte vazhdimisht në fronte bashkë forcat vullnetare që luftonin për mbrojtjen e kufijve etnikë, por e ndihmonte edhe “Lëvizjen Nacional Çlirimtare”. U arrestua dhe internua nga gjermanët si antifashist në Kampin e Prishtinës (qershor-shtator 1944) (shih) Pas lirimit u bashkohet forcave partizane dhe u caktua komandant i Komandës së Vendit në Istog (dhjetor 1944-mars 1945) pastaj komandant i Divizionit të Artilerisë në Prishtinë (mars-qershor 1945) dhe instruktor në Brigadën V dhe VI të Shqipërisë. I zhgënjyer me aneksimin e Kosovës nga Serbia, përkatësisht Jugosllavia dhe sidomos me dhunën dhe terrorin që po ushtrohej ndaj popullit shqiptar, u demobilizua vullnetarisht (1946) dhe iu bashkua Lëvizjes Nacional Demokratike Shqiptare, zgjidhet anëtar i Komitetit Qendror të Organizatës së Shkupit dhe komandant i Ushtrisë Demokratike Shqiptare. U arrestua nga organet e Sigurimit Jugosllav, u dënua me vdekje dhe u pushkatua në Shkup (Muhamet Shatri).

 Kapiten Hysni Rudi, si komandant i ushtrisë shqiptare dhe në foton e dytë në Burgun e Shkupit pak kohë para pushkatrimit. Këto foto mi ka dërguar Dr. Qerim Lita, nëndrejtor i Arkivit të Maqedonisë në Shkup.

Kush ishte Ali Ukshini ?

Pse e larguan nga Ushtria, si një një nga ish partizanët më luftarakë e më ”besnik”?

Në rrethin e Llapushës kishte grupe të vogla e individë që nuk pajtoheshin me ardhjen e partizanëve dhe sistemit soccialist e komunist në pushtet, nuk do të thoja se edhe luftonin . Ata madje me urrejtje iu thonin ”ata shokët”. Kjo edhe për një arësye se sipas botkuptimeve as dreqit (djallit) plakat e pleqt nuk i thonin me emrin e vërtë poer i thonin ”koftlargi”,”naleti” (turq.) ”shejtani”, por më shpesh i thonin si ”koftlargi” kjo edhe nga shkaku se kemi të bëjmë me bestytni, me ”tabu” e ”eufomizma”, kur dikush nuk ia thot ose nuk i tregon emrin e vërtetë nga friga se nëse ia din emrin, din çdo gjë.

Grupet që shpesh nuk ishin më shumë se tre e katër vetë e rralë ndoshta edhe sa gishtat e njërës dorë, mosknaqësinë e vetë kundër pushtuesit të vjetër, sllav, me emër të ri e tregonin me mosbindje, me mospajtim se sa me ndonjë rezistencë të fuqishme ose luftë të armatosur.

Në rrethin e Llapushës ishin krijua edhe brigadat me ”Milicë vullnetarë” kundër këtyre grupeve ti quaj ballistë (?). Stanica e njohur e milicisë ishte në Banjë të Malishevës ku edhe vendoset pushteti dhe organet tjera të Frontit Popullor deri më më 1960 apo 1964.

Po edhe kjo është temë që s`më përket mua e as nuk e kam në agjendën time, siq do të thoshte Sali Berisha ish kreu i demokratëve dhe të shtetit shqiptarë.

Grupet më të njohura që vepronin që nga Llapushniku, Arllati e deri te Qafa e Duhlës dhe që nga Rahaveci e rrethi i Drinit deri në Sferrkë të Gashit (Nuk jam i sigurtë për Sadik Ramën e Gjurgjevikit), ishin Berisht në krye me Rifat Berishën, që vritën në Gajrak,  Bajraktart e Astrazubit që vritën në Sferrkë të Gashit, Qazim Ramën e Bllacës, Mstafë Ibishin e Kramavikit e ndonjë tjetër. Tereni ishte shumë i përshtatshëm që nga Pagarusha, Astrazubi, Bjeshkët e Carravranës, të Turjakës, të Panorcit e ato të Zatriqit që kishin mundësi me jetua pa frigë pasi që kishte male me drunj të lartë e të shpeshtë, gurë të thepishut e të shumtë, shpella në forma të dhomave, si në shtëpi e ujë të mjaftueshëm. Pastaj edhe popullsia e e fshatrave të kësaj ane iu qonte bukë e tesha të lame dhe ndodhte që natën shkonin e buanin të ndonjë mik ose i besueshëm tjetër.

Kësaj radhe nuk e kisha ndërmend të zgjatem pasi që edhe nuk e kam materjalin e nevojshëm por desha që të flas pakëz për Mstafë Ibishin e Kramavikit.

Kam dëgjua se ka dalur edhe një libër për Mstafën por unë nuk e kam pasur në dorë.

Mstafë Ibishi është baxhanak me gjyshin tim, Imer Seferin, dhëndërr të Hisen Sylës nga Damaneki. Hiseni ka qenë ndër burrat më të mirë e plak i njohur i Damanekur, për burrni e mikëpritje, për nder e besë. Ai ka pasur dy djem, Halil dhe Sadri Hisenin dhe dhe 4 qika, Gjezidën (gjyshja ime), Nailen, Halimen dhe Zaden. Më e vogla, Zadja, ka qenë e martuar me Mstafën.

Mstafa e ka lënë veç një djalë Hasanin. Edhe Hasani ka pasur një djalë e një vajzë. Emrat nuk më kujtohen por I njoh, si tezak të babës dhe disa herë kam qenë te ai në Gjakovë. Mstafë Ibishi ka pasur edhe dy qika, të martuara, njëra në Gjakove, për Ali Shehin, Ryva e tjetra në Prizren.

 Thuhët se kur është zënë rob Mstafë Ibishi, për të cilin nuk dua të flas tash, I gjallë, kanë dorëzua Ali Ukshinit, officer I lartë i ushtrisë. Alia ka pasur gradën kapiten I klasit të pare. Një burrë shumë i vendosur por edhe i rreptë nga natyra. Ai duke e ditur se çka do ta gjen Mstafë Ibishin nëse e dorëzon në organet  të tjera më të larta të kohës, KOS dhe i sigurtë për torturatçnjerzore që do të ia bënin e nga friga se mos nuk mundët me i durua e tregon, ku ka ndejt, ku ka hanger bukë dhe me kend ka pasur lidhje, që të gjithë do të pësonin me denim me burg ose forma të tjera, Aliu e vret Hasanin gjoja nuk mundi me durua se aq shumë iu kishte inat ballistëve dhe armiqëve të tjerë të pushtetit popullur jugosllav.

Shkitë e kuptojnë qëllimin e Ali Ukshinit  pse vrau Mstafën, sepse ata dëshironin ti dinin e ti zinin edhe të tjerët, Ali Ukshinin ”e deshin”, e largojnë nga të gjitha detyrat dhe ia hjekin gradat. Më nuk din askush se çka ka ndodhur me Ali Ukshinin por pas 10, 15 vjetëve, vitet 1960-1965, një grup fshatarësh nga Turjaka që shkojnë me punua verës punë krahu në Beograd, Ilaz Imeri, Sylë Sahiti, Jemin e Isë Bajrami, Ahmet Mehmeti, Reshit Tafili, Muharrem Shaban, baba e axha im (Ukë e Avdullah- Dul Imeri) e kanë parë Ali Ukshin në një ndëmarrje ndërtimore afër stacionit të trenit në Beograd, si rojtar (Čuvar, Stražar).

U afruam dhe u përshëndetëm. I treguam kush jemi dhe na njofti por nuk dëshiroj të kthehet në kohë e të na tregoi për asgjë, sigurisht nga friga se ishte nën përcjellje. Nuk kishte dëshirë të fliste por kuptohej se e kishte pasur jetë të vështirë gjatë atyre vjetëve.

Ali Ukshini ishte i Shqipërisë, i krasniqes së Tropojës thonin axhallarët por edhe pleqt tjerë, kusherinj e të afërm.

Një here tjetër do të flas për Hasan Riza Pashën e Stambollit, Hasan Zatrqin e Turjakës dhe Hasan Makshanën e Drenofcit të Zatriqit.

 

Malmö, 26 dhjetor 2017