Lulzim Basha: Rama sot Kryeprokuror i vendit

15.01.2018 18:05:29

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka marrë fjalën në foltoren e Kuvendit, duke e nisur këtë sesion të dytë parlamentar me akuza të forta në drejtim të kryeministrit Edi Rama.

“Kthehemi pas një muaji në vendin e krimit. Këtu në këtë sallë, më 18 dhjetor mazhoranca e kapur nga krimit dhe e zhytur në krim e kthyer në ndihmës të trafikantëve të drogës që mëshirohet qartë nga Saimir Tahiri, kreu krimin kushtetues dhe kapi prokurorinë dhe që prej datës 18 dhjetor u shembën kolonat ekzistenciale të demokracisë, ndarja e pushteteve”, tha Basha.

Basha atakoi Prokuroren e Përgjithshme, Arta Marku për vendimin e kthimit të pasaportës te Saimir Tahiri dhe lirimin e Orest Sotës nga qelia.

Sipas tij sot Kryeprokuror i vendit është Edi Rama dhe vendimet e organit të akuzës janë akte të ndikuara politikisht.

“Njeriu që ka uzurpuar kreun e ekzekutivit, njeriu që drejton me grusht të hekurt teatrin e kukullave të grupit të tij parlamentar të dalë nga vota e blerë e 28 qershorin, drejton sot edhe prokurorinë e vendit. Ky krim kushtetues u paralajmërua nga Partia Demokratike. Vendi është në krizën më të rëndë të 27 viteve”, deklaroi kreu i PD.