Marrëveshja me FMN në dyshim, mund të mos ripërtërihet

01.08.2016 09:43:26

Marrëveshja me Fondin që pati për tre vjet rol vendimmarrës në politikat buxhetore mund të mbyllet në nëntor. Ahmetaj thotë se ekonomia ka hyrë në fazën e rritjes së saj dhe monitorimi nga FMN nuk është më i domosdoshëm

Qeveria ka dhënë sinjale se mund të vendosë të mos zgjasë marrëveshjen me Fondin Monetar Ndërkombëtar që mbaron në shkurt të vitit të ardhshëm.

Pasi i kërkoi ndihmë dhe kredi FMN-së në 2013 qeveria shqiptare po sheh mundësitë që t’i formësojë vetë buxhetet në vijim, duke i lënë Fondit vetëm misionin këshillues.

Televizioni Vizion Plus bëri me dije dje se kishte biseduar mbi këtë çështje me ministrin Arben Ahmetaj i cili ka lënë të kuptohej se edhe pse një vendim nuk ishte marrë marrëveshja mund të mos ripërtërihej.

Ministri i Financave Arben Ahmetaj, është shprehur se tashmë që ekonomia ka hyrë në fazën e rritjes së saj, nuk është më i domosdoshëm sa më parë monitorimi që Fondi i bën Shqipërisë.

Megjithatë ai ka thënë se nuk ka një vendimmarrje konkrete për këtë çështje.

Socialistët e kishin në programin e tyre rikthimin e misionit të përhershëm të FMN-së në Shqipëri.

Tre paketa fiskale dhe po ashtu tre buxhete janë bërë me ndihmën ekspertëve të Fondit që prej 2013 dhe në disa raste vendimet e tyre kanë rezultuar edhe të dhimbshme për taksapaguesit.

Por po ashtu ligjet e bëra në menaxhimin efiçent të buxhetit dhe ruajtjen e rrezikut të deficitit në buxhet nxorën Shqipërinë nga kërcënimet që vinin si pasojë e borxhit publik.

Kjo lëvizje duket edhe si një mundësi për të mbajtur FMN larg buxhetit gjatë një viti elektoral.

FMN u rikthye në Shqipëri në fund të vitit 2013-të, menjëherë pas ardhjes së qeverisë së re e cila firmosi një memorandum mirëkuptimi me Fondin Monetar Ndërkombëtar me qëllim marrjen e një huaje prej 330 milion eurosh.

Në këtë marrëveshje Shqipëria angazhohej që do të përmbushte 22 kritere për ruajtjen e stabilitetit ekonomik, konsolidimin fiskal dhe marrjen e masave për të mos krijuar më detyrime të prapambetura në sektorin publik.

Por kjo marrëveshje, e cila përfundon më 28 shkurt të vitit 2017-të nuk do të rinovohet më.

Qeveria do të mbajë vendin e saj në Fond, por jo me kushtet që ka sot, ku FMN ka rol vendimtar në shumë politika ekonomike që ndërmerren, që nga taksat e deri te mënyra se si shpenzohen paratë në buxhet.

Burimet thonë se deri në muajin nëntor, FMN do të ketë rolin monitorues të programit që ka firmosur me Shqipërinë, e pas këtij muaji pozicioni i saj do të jetë vetëm këshillues.